Re:Connect, shqiptarët migrantë të brezit të dytë në kërkim të identitetit të tyre

Re:connect quhet një projekt të cilin festivali KinoKosova e ka realizuar në bashkëpunim me Dokufestin e Prizrenit, me financim nga fondacioni zviceran Movetia dhe Ambasada e Zvicrës në Kosovë.
Ai është një projekt bashkëpunimi për realizimin e dokumentarëve dhe një program rezidence. Projekti synon bashkimin e të rinjve të moshës 18–25 vjeç nga Zvicra dhe Kosova – përfshirë të rinjtë e diasporës dhe pjesëmarrësit me prejardhje të ndryshme kulturore – për të eksploruar tema që lidhen me identitetin, përkatësinë dhe trashëgiminë kulturore.
Një rezidencë dyjavore e financuar në Prizren, Kosovë, që përfshin punëtori, realizim filmash në grup, mentorim të udhëhequr nga figura regjisorësh “vendorë” si Samir Karahoda dhe me pjesëmarrje edhe të atyre nga diaspora si Fisnik Maxvel, Dea Gjinovci ose Ilir Hasanaj etj.
Frytet e këtij projekti interesant pati mundësinë t`i shohë publiku në ditën e katërt të festivalit KinoKosova, të shtunën që shkoi, në kinemanë Rex të Bernës.
Çështja e identitetit ose e identiteteve ishte e përbashkëta e disa prej filmave, prodhime të punës së regjisorëve amatorë kryesisht nga diaspora, që u shfaqën këtë pasdite në KinoKosova.
Konfliktet rreth identitetit, perceptimi i tyre dhe dilemat e të rinjve me prejardhje të huaj (në këtë rast: shqiptare) për identitetet me të cilat bashkëjetojnë, përbëjnë një temë shumë të pranishme në debatet publike në Zvicër, prandaj ky debat bartet natyrshëm edhe në film. Po kjo ndodh ose nxitet që të ndodhë edhe në projektin Re-Connect, filmat e të cilit përshkruajnë realitetin, shtrojnë pikëpyetje dhe përpiqen të japin ndonjë përgjigje në këtë drejtim.
Në këtë kontekst ishte veçanërisht interesant për temën që trajtonte dhe mënyrën e realizimit të tij, filmi “Gjuha e diasporës” me regji të Diell Currit.
Në këtë film, pesë miq, të gjithë shqiptarë të brezit të dytë e të tretë që jetojnë në Zvicër eksplorojnë marrëdhënien e tyre me gjuhën shqipe në diasporën shqiptare të Zvicrës. Ata enden nëpër vende kujtese ku farkëtohet identiteti dhe shpërfaqin kulturën shqiptare aty ku ajo shtypet. Filmi lëviz midis dokumentarit dhe eksperimentit, si një hulumtim mbi atë që i ndodh gjuhës shqipe si rezultat i shtypjes dhe migrimit.
Protgonistët debatojnë lidhur me qsjen që kanë në raport me gjuhën amtare, sfidat që paraqet përdorimi i saj në shoqërinë ku jetojnë por edhe kompleksitetin e përdorimit të gjuhës shqipe në vendin e prejardhjes. Kjo e fundit, sigurisht, për shkak të mungesës së kompetencës së tyre të duhur për të biseduar tema komplekse në gjuhën shqipe. Ata megjithatë nuk i ndalin përpjekjet për të folur në gjuhën e prindërve të tyre dhe për të ruajtur kështu një pjesë qenësore të identitetit të tyre, në një ambient me gjuhë e kulturë tjetër.
Autori i filmit, Diell Curri është vet një pjesëtar i këtij brezi emigrantësh. I lindur në vitin 2002 nga prindër shqiptarë të Kosovës, ai jeton në Lucern të Zvicrës. Aktualisht po studion për një diplomë Bachelor në Video në Shkollën e Artit dhe Dizajnit të Lucernës.
Një aspekt tjetër, gjithnjë në lidhje me migracionin trajton edhe filmi “3 breza” i autores Alberta Sinani, shqiptare nga Austria. Filmi tregon historinë e Zadifes, ndjek udhëtimin e saj shpirtëror, arratisjen e familjes së saj nga Kosova në vitin 1999.
Alberta Sinani është psikologe komuniteti, artiste dhe menaxhere projektesh e lindur në Kosovë dhe që tani jeton në Austri.
Ndërsa vepra “As knej as anej” është një film i shkurtër nga Amir Kajtazi (një bashkëprodhim Kosovë/Zvicër), i shfaqur fillimisht në DokuFest, i cili portretizon një te ri nga diaspora i cili kërkon përkatësinë ose identitetin e tij në Prishtinë. Ai provon jetën në Kosovë dhe shpreh dilemat e tij identitare, me një gjuhë e terminologji të sofistikuar që të bën të besosh seriozitetin me të cilin ai e ka marrë çështjen e identitetit ose, identiteteve.
Pas shfaqjes së filmave, disa nga regjisorët e rinj dhe producenti Eroll Bilibani, drejtues i projektit, u ngjitën në skenë dhe ju përgjigjën pyetjeve nga publiku. Ato kishin të bënin me idenë, konceptin e projektit, rrethanat në të cilat u realizuan filmat, motivet që kanë ndjekur autorët e filmave përkatës etj.
The post Re:Connect, shqiptarët migrantë të brezit të dytë në kërkim të identitetit të tyre appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



