Reuters: Amerikanët dhe rusët kanë zhvilluar takime sekrete gjatë muajve të fundit në Zvicër
Takime sekrete mes amerikanëve dhe rusëve në Zvicër janë zhvilluar muajt e fundit në lidhje me luftën në Ukrainë, zbulon Reuters. Sipas tre burimeve, këto lloj takimesh kanë vazhduar deri në javën e kaluar. Burimet folën për një “kanal anësor” komunikimi mes dy vendeve, me disa takime që u zhvilluan gjatë periudhës tranzitore të ndërrimit [...]Read More...

Takime sekrete mes amerikanëve dhe rusëve në Zvicër janë zhvilluar muajt e fundit në lidhje me luftën në Ukrainë, zbulon Reuters. Sipas tre burimeve, këto lloj takimesh kanë vazhduar deri në javën e kaluar.
Burimet folën për një “kanal anësor” komunikimi mes dy vendeve, me disa takime që u zhvilluan gjatë periudhës tranzitore të ndërrimit të pushtetit në SHBA pas fitores së Trump në zgjedhjet e nëntorit.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, pjesëmarrësit në këto takime, megjithëse kishin përvojë diplomatike dhe njohuri për çështjet e sigurisë, nuk ishin anëtarë të qeverisë amerikane apo ruse, ndërsa mbetet e paqartë nëse ata kanë mbërritur në Zvicër me urdhër të Shtëpisë së Bardhë apo të Kremlinit.
Nuk dihet gjithashtu nëse Ukraina ishte e pranishme në takime dhe çfarë saktësisht u diskutua, megjithëse një numër i vogël i këshilltarëve të Donald Trump ishin në dijeni të këtyre kontakteve.
Një nga burimet i përshkroi bisedimet në Zvicër si diskutime në rrugën e dytë, një term diplomatik për dialogun informal që synon përmirësimin e komunikimit dhe shkëmbimin e ideve, në vend të zhvillimit të propozimeve specifike. Dy burime folën për të paktën një takim në Gjenevë gjatë javës së kaluar.
“Megjithatë, këto kontakte nxjerrin në pah përpjekjet e prapaskenave të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për të kërkuar mënyra për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, pavarësisht kontakteve zyrtare pothuajse të “ngrira” nën presidencën Biden,” vëren Reuters.
Agjencia e lajmeve kujton se vetëm një muaj pasi Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë, ka një ndryshim të madh në qasjen amerikane ndaj luftës trevjeçare, me presidentin amerikan që u angazhua drejtpërdrejt me Vladimir Putin me synimin për të arritur një marrëveshje të shpejtë për t’i dhënë fund konfliktit.
Kontakte të ngjashme të tipit 2 kishin ndodhur në vitin 2023 dhe në fillim të vitit 2024, kur Putini kishte dërguar një mesazh se ishte i gatshëm të diskutonte një armëpushim – kontakte që, megjithatë, nuk çuan askund./abcnews.al