Bebe Rexha arrin 100 milionë dëgjime në Spotify me “New Religion”

Bebe Rexha arrin 100 milionë dëgjime në Spotify me “New Religion”

Bebe Rexha ka një tjetër arsye për të festuar. Artistja shqiptare me famë botërore ka njoftuar se kënga e saj “New Religion” ka tejkaluar shifrën e 100 milionë dëgjimeve në Spotify, platformën më të madhe të muzikës në botë.

E entuziazmuar për këtë arritje, këngëtarja e ndau lajmin me ndjekësit përmes një postimi në InstaStory, ku shprehu lumturinë për suksesin që po shënon albumi i saj më i fundit “Dirty Blonde”.

“New Religion”, e publikuar si kënga kryesuese e albumit, vjen si një ripunim modern i hitit ikonik “Insomnia” të grupit Faithless, duke kombinuar elementet e muzikës elektronike klasike me stilin pop dhe dance që ka karakterizuar gjithmonë krijimtarinë e Bebe Rexhës.

 Foto: Bebe Rexha/InsatStory

Kënga është pritur shumë mirë nga publiku dhe ka vazhduar të rritet në mënyrë të qëndrueshme në platformat digjitale, derisa tashmë ka kaluar pragun e rëndësishëm të 100 milionë stream-eve në Spotify.

“Dirty Blonde”, i cili doli në shitje në muajin qershor, është albumi i katërt në karrierën e Bebe Rexhës, por ka një rëndësi të veçantë për artisten, pasi është projekti i saj i parë si artiste e pavarur.

 

 

Vitin e kaluar, Bebe i dha fund bashkëpunimit me ish-shtëpinë e saj diskografike Warner Records, duke zgjedhur të ndërtojë një kapitull të ri në karrierën e saj me më shumë liri krijuese dhe kontroll mbi muzikën që publikon.

Suksesi i “New Religion” shihet si një sinjal i fortë se ky vendim po jep rezultatet e para, ndërsa “Dirty Blonde” po vazhdon të fitojë vëmendje të madhe nga publiku dhe kritikët, duke e konfirmuar edhe një herë Bebe Rexhën si një nga artistet shqiptare më të suksesshme në skenën ndërkombëtare.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.