Irani kushtëzon rihapjen e Hormuzit me heqjen e bllokadës amerikane

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka theksuar se bllokada e porteve iraniane nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me kërcënimet dhe "shkeljen e angazhimeve" nga ana e tyre, përbëjnë pengesat kryesore për zhvillimin e "negociatave të vërteta" mes dy vendeve. Ai ka lënë të kuptohet se kjo situatë pengon edhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Pezeshkian, në një postim të tijin në platformën X, ripohoi angazhimin e Iranit ndaj dialogut dhe marrëveshjes, duke theksuar se vendi i tij "e ka mirëpritur dhe vazhdon ta mirëpresë" këtë. Ai kritikoi ashpër Shtetet e Bashkuara, duke deklaruar se "bota sheh retorikën tuaj të pafund hipokrite dhe kontradiktën mes pretendimeve dhe veprimeve". Këto komente vijnë një ditë pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili njoftoi zgjatjen e armëpushimit, por konfirmoi se bllokada ndaj porteve iraniane do të vazhdojë.



