Rrahmani dhe Zhegrova në formacionin e javës në Serie A

Rrahmani dhe Zhegrova në formacionin e javës në Serie A

Java e katërt e kampionatit italian, Serie A, ka sjellë një tjetër moment të veçantë për futbollin kosovar, përcjell albinfo.ch.

Amir Rrahmani dhe Edon Zhegrova janë përfshirë në 11-shen më të mirë të javës, pas paraqitjeve mbresëlënëse me skuadrat e tyre.

 

Rrahmani, mur i pakalueshëm në mbrojtje

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ishte një prej figurave kryesore në fitoren 1-0 të Napolit ndaj Bolognas.

Mbrojtësi kosovar u vlerësua me notën 7.7 nga Sofascore, duke zhvilluar një paraqitje shumë të sigurt në repartin defensiv.

Rrahmani kompletoi 63 pasime me saktësi prej 91 për qind, ndërsa regjistroi edhe tri largime të topit nga zona dhe fitoi tetë duele ajrore.

Performanca e tij i siguroi një vend në formacionin e javës në Serie A.

 

Zhegrova shpërthen me dy gola

Në anën tjetër, Edon Zhegrova ishte padyshim një prej protagonistëve kryesorë të javës në kampionatin italian.

Sulmuesi kosovar u inkuadrua në minutën e 60-të në ndeshjen mes Juventusit dhe Sassuolos dhe iu deshën vetëm 30 minuta për të treguar klasin e tij.

Zhegrova shënoi dy gola, duke qenë lojtari më i rrezikshëm i Juventusit në pjesën e dytë.

Për paraqitjen e tij spektakolare, 27-vjeçari u shpall “Lojtari i Ndeshjes”, ndërsa Sofascore e vlerësoi me notën jashtëzakonisht të lartë 9.2.

Në total, Zhegrova pati tri goditje në drejtim të portës, dy prej të cilave përfunduan në rrjetë. Ai kompletoi gjithashtu 12 pasime dhe krijoi një rast të madh për gol.

 

Dy shqiptarë të Kosovës në mesin e më të mirëve

Përfshirja e Rrahmanit dhe Zhegrovës në formacionin e javës është një tjetër dëshmi e paraqitjeve të nivelit të lartë që po tregojnë futbollistët kosovarë në një prej kampionateve më të forta në Evropë.

Për Zhegrovën, dy golat ndaj Sassuolos kanë një rëndësi të veçantë, pasi ishin golat e tij të parë me fanellën e Juventusit në Serie A.

Paraqitja e tij ka rritur pritshmëritë për vazhdimin e sezonit, ndërsa tifozët e Juventusit dhe të Kosovës presin që kjo të jetë vetëm fillimi i një kapitulli të suksesshëm për Zhegroven në Serie A. /Albinfo.ch

The post Rrahmani dhe Zhegrova në formacionin e javës në Serie A appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.