Rripi mund të shpëtojë jetë, madje edhe në autobusë

Rripi mund të shpëtojë jetë, madje edhe në autobusë

Aksidenti i rëndë i autobusit që doli nga rruga të enjten në mbrëmje në Susch, në rajonin e Engadinës së Poshtme – duke shkaktuar 5 viktima dhe 40 të lënduar, tre prej të cilëve rëndë – ngre një pyetje: a i kishin vendosur pasagjerët rripat e sigurimit? Përgjigjja do të vijë në përfundim të hetimeve të policisë dhe prokurorisë.

Ndërkohë, një ekspert sigurie, Raphael Murri, profesor i mekanikës dhe sigurisë së automjeteve në Shkollën Profesionale të Bernës, i cili i analizoi me kujdes pamjet e autobusit të përmbysur, ka deklaruar se vëzhgimi i tij i parë është se, pavarësisht përplasjes, kabina e pasagjerëve mbeti e paprekur: “Pra, ajo ishte në përputhje me rregulloret dhe ekzistonin kushtet që rripat e sigurimit të funksiononin siç duhet”.

Për autobusët ekziston detyrimi i vendosjes së rripit (bëjnë përjashtim autobusët e transportit publik urban), por është e vështirë, në mos e pamundur, që shoferi të verifikojë zbatimin e këtij rregulli; kërkohet përgjegjësi individuale, raporton RSI. Ky është një faktor që mund të jetë vendimtar në një aksident si ai i autobusit holandez, transmeton albinfo.ch.

Rripi i vendosur mund të shpëtojë jetë

“Një rrip që funksionon i mban pasagjerët dhe parandalon hedhjen e tyre brenda automjetit”, shpjegon eksperti, “dhe gjasat për mbijetesë janë të mëdha”. Kjo konfirmohet nga testet e përplasjes të kryera nga Klubi Zviceran i Automobilizmit (TCS), si dhe nga vetë instituti i profesor Murrit, i cili flet për dallime mbresëlënëse:

“Me rripin e vendosur, në një aksident të tillë, gjasat për lëndime të rënda ose fatale janë 20%, ndërsa për ata që nuk e kanë vendosur rripin, shanset janë 80%”.

Në rastin e një autobusi që përmbyset, edhe thjesht rripi i vendosur mund të jetë vendimtar. “Problemi”, sipas Raphael Murri-t, “qëndron te mungesa e ndërgjegjësimit të pasagjerëve. Ndërsa për ata që hipin në veturë sot, vendosja e menjëhershme e rripit të sigurimit është një gjest normal dhe automatik, në autobusë kjo ende nuk ndodh”.

The post Rripi mund të shpëtojë jetë, madje edhe në autobusë appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.