Rrugët e shembura në juglindje, kreu i ARRSH mohon akuzat: Nuk ka pasur gërmime

Prej gati dy ditësh aksi Librazhd-Prrenjas është i pakalueshëm për automjetet dhe këmbësorët. Prej kohësh aksi ka pasur probleme, por të shtunën rrëshqitja e dherave, dëmtoi urën dhe një pjesë të aksit pranë Librazhdit. Bllokimi i rrugës, ka izoluar totalisht juglindjen e vendit, duke detyruar udhëtarët që të përdorin rrugën dytësore atë që lidh Maliqin […]

Rrugët e shembura në juglindje, kreu i ARRSH mohon akuzat: Nuk ka pasur gërmime

Prej gati dy ditësh aksi Librazhd-Prrenjas është i pakalueshëm për automjetet dhe këmbësorët. Prej kohësh aksi ka pasur probleme, por të shtunën rrëshqitja e dherave, dëmtoi urën dhe një pjesë të aksit pranë Librazhdit.

Bllokimi i rrugës, ka izoluar totalisht juglindjen e vendit, duke detyruar udhëtarët që të përdorin rrugën dytësore atë që lidh Maliqin me Lozhanin përmes Moglicës dhe që del më pas në Gramsh për t’u kthyer në Bradashesh dhe për të vazhduar në drejtim të Tiranës.

Ishte njoftuar nga ARRSH që aksi do të hapej mesditën e kësaj të hëne, 23 shkurt, por nuk ndodhi. Kreu i ARRSH Ami Kozeli,  tha për “Opinion” se në orën 3:00 të mëngjesit pati rrëshqitje masive dheu dhe prishi gjithë punën që ishte bërë gjatë 24 orëve.

“Aksi vazhdon të jetë i bllokuar, siç kemi raportuar edhe gjatë ditës së sotme. Në orën 3:00 pati një shkarje, e cila vazhdon të jetë aktive akoma, dhe hodhi poshtë një punë të 24 orëve, që ishte për t’u përgëzuar ç’është e vërteta.”

Kozeli shtoi se nga verifikimet në terren është parë që ajo zonë prej vitesh ka pasur fenomenin e gërryerjes prezente, vitet e fundit edhe për shkak të motit të keq sipas tij kaq qenë më e theksuar. Kreu i ARRSH hodhi poshtë akuzat se shkak për shembjen e Korridorit të 8, kanë qenë gërmimet në shtratin e lumit Shkumbin, ku shtoi se me përgjegjësi të plotë konfirmon që nuk ka pasur gërmime.

“Me përgjegjësi të plotë them që nuk ka pasur asnjë gërmim atje poshtë. Në pas vizitës në terren u kthyem në zyrë bashkë më inxhinierët dhe hymë në historikun, fenomeni i gërryerjes atje ka ekzistuar, sepse në vitin 2015 distanca mes trupit lumor dhe shinave ishte 35 metra dhe çdo vit atje ka pasur nga gërryerjet. Në vitin 2023 kjo distancë ishte 13 metër, sot është 0. Nuk thashë që nuk ka pasur leje për të marrë leje në lumin Shkumbin, thashë që nuk ka pasur gërmime në vendin e rrëshqitjeve. Kemi pamje të planeve me dronë që i kemi analizuar në zyrë. Nuk ka pasur kurrë gërryerje. Projekti i Korridorit të VIII ka një nga komponentët më të rëndësishëm që është mbrojtja e lumenjve.  Atje ka pasur gjithmonë plane të rrëshqitjeve, por këtë vit si asnjëherë më parë edhe për shkak të reshjeve jemi hasur me një fenomen që s’ka ndodhur kurrë më parë.”