Rusia rishikon prioritetet/ Irani në plan të tretë, pas Trump dhe Izraelit

Rusia nuk ka ndërmend të sakrifikojë për Iranin. Pavarësisht nëse mbetet një aleat i dobishëm apo jo, për Kremlinin prioritetet sot janë të tjera. Mediat liberale ruse, të cilave ende u lejohet ndonjë devijim i rrallë nga linja zyrtare, kanë raportuar së fundmi për një takim urgjent të mbajtur në Kremlin pas sulmit të parë [...]Read More...

Rusia rishikon prioritetet/ Irani në plan të tretë, pas Trump dhe Izraelit

Rusia nuk ka ndërmend të sakrifikojë për Iranin. Pavarësisht nëse mbetet një aleat i dobishëm apo jo, për Kremlinin prioritetet sot janë të tjera. Mediat liberale ruse, të cilave ende u lejohet ndonjë devijim i rrallë nga linja zyrtare, kanë raportuar së fundmi për një takim urgjent të mbajtur në Kremlin pas sulmit të parë izraelit në Teheran, më 13 qershor.

Në tryezë ishin të pranishëm drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, qeverisë, Këshillit të Sigurisë dhe vetë presidenti Vladimir Putin.

Për një herë, në një ambient ku zakonisht mbizotërojnë ndasitë dhe debatet, të gjithë pjesëmarrësit ndanë të njëjtin mendim: më parë duhej ruajtur marrëdhënia që po konsolidohet me Donald Trump, pastaj balanca e brishtë me Izraelin, e më pas dhe vetëm më pas marrëdhënia historike me Teheranin.

Irani nuk shihej si një partner i humbur, por pranë tij, Rusia rrezikonte të perceptohej si e dobët, në një fazë të re të riformatimit të ekuilibrave ndërkombëtarë, pas ndryshimeve në Shtëpinë e Bardhë në janar.

Rezultati i përplasjes së fundit në Lindjen e Mesme, ku u përfshinë edhe Shtetet e Bashkuara, nuk ka ndryshuar përfundimet e asaj nate në Kremlin. Irani, megjithëse jo i braktisur, ekspozoi dobësi që rrezikuan edhe pozitën e Rusisë si hallka e parë në zinxhirin e aleancave të saj.

Kështu, lajmi i publikuar nga portali amerikan Axios sipas të cilit Putin mbështet një marrëveshje bërthamore që i ndalon Iranit pasurimin e uraniumit, sipas kushteve të propozuara nga SHBA dhe Izraeli – ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, por është i besueshëm. Sipas burimeve, qëndrimi i Moskës i është komunikuar si administratës Trump, ashtu edhe përfaqësuesve iranianë, të cilët, sipas “Novaya Gazeta”, e kanë refuzuar këtë propozim duke e cilësuar si një diktat.

Pasurimi i uraniumit ka qenë gjithmonë pika më e nxehtë në negociatat me Iranin. Teherani ka insistuar në të drejtën për të zhvilluar këtë proces brenda territorit të vet, ndërsa SHBA dhe Izraeli kërkojnë ndalimin e tij të plotë. Kjo mbetet një çështje që mund të ndezë një tjetër valë konflikti, një skenar që Rusia do të donte të shmangte, por që e sheh gjithnjë e më të mundshëm, duke marrë parasysh qëndrimin refuzues të Iranit për të diskutuar.

Pikërisht për këtë arsye, Putin ka vendosur të lë hapur një derë, në përputhje me qëndrimet e tij të mëparshme që flisnin për të drejtën e Iranit për një program bërthamor civil, por jo ushtarak.

Rreshtimi i Moskës me aksin SHBA-Izrael mund të përbëjë një ndryshim të madh në peizazhin diplomatik, duke larguar më tej Rusinë nga një aleat i komplikuar si Irani, dhe në të njëjtën kohë duke i ofruar mundësi të reja politike Kremlinit, sidomos nëse bisedimet bërthamore japin fryte.

Sipas burimeve pranë presidencës ruse, analiza të detajuara janë bërë për përfitimet dytësore që mund të sjellë kjo krizë. Rusia ka pasur gjithmonë një marrëdhënie të ftohtë me Iranin, përforcuar edhe nga vendimi i saj për të mbështetur rezolutën e OKB-së në qershor 2010, e cila vendosi sanksione ndaj Teheranit, si dhe për të mos i furnizuar kurrë sistemet e mbrojtjes ajrore.

Në Kremlin mbizotëron bindja se qëndrimi neutral dhe ndërmjetësues i Rusisë në konfliktin izraelito-iranian ka ndikuar që Donald Trump të mos ndërmarrë masa më të ashpra sanksionuese ndaj Moskës kohët e fundit.

“Do të ndjekim interesat tona”, thuhet se u shprehën burime zyrtare pas sulmit ajror izraelit. Marrëveshja komplekse me regjimin iranian nuk i ka sjellë ndonjë ndikim të madh Rusisë në Lindjen e Mesme, ndërkohë që afrimi me administratën Trump, për të cilin Irani është çështje kyçe, mund të përkthehet në përfitime shumë më konkrete sidomos në konfliktin me Ukrainën./abcnews.al