Saranda Imeri Stafai: Legjitimiteti shqiptar nuk është pronë e BDI-së, o “Bujari i PDSh-së”!

Deputetja e VLEN-it, Saranda Imeri Stafai, i është përgjigjur deklaratave të Bujar Osmanit nga BDI, i cili në një status të gjatë kritikoi mënyrën e funksionimit të VLEN-it dhe e akuzoi atë se është shndërruar në instrument institucional për politika që, sipas tij, kanë karakter maqedonas.
Stafai thotë se Osmani po përpiqet ta paraqesë bashkëpunimin politik si dobësi, ndërsa sipas saj, bashkimi i forcave politike për të sjellë ndryshim është pjesë normale e demokracisë.
“Bujar, problemi yt është se po përpiqesh ta shesësh bashkëpunimin politik si dobësi, ndërsa në demokraci bashkimi i forcave për të sjellë ndryshim quhet mandat politik”, shkruan Stafai.
Ajo thekson se VLEN-i u krijua si bashkim i forcave shqiptare me një objektiv të qartë – përfundimin e monopolit shumëvjeçar të BDI-së dhe sjelljen e ndryshimit politik.
Sipas Stafait, kritikat e Osmanit për bashkëpunimin e VLEN-it me VMRO-DPMNE-në janë kontradiktore, pasi edhe BDI-ja, sipas saj, ka qeverisur për vite me partitë maqedonase.
“Bashkëpunimi nuk është tradhti kur e bën BDI-ja, por ama qenka varësi kur e bëjnë të tjerët”, shprehet deputetja e VLEN-it.
Stafai më pas e kthen vëmendjen te bilanci politik i Bujar Osmanit, duke përmendur disa prej çështjeve për të cilat ai është kritikuar gjatë angazhimit të tij politik dhe diplomatik. Ajo përmend planin 9-pikësh për Kosovën, të cilin Osmani e kishte prezantuar gjatë kohës kur drejtonte OSBE-në, si dhe pritjen e ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov në Shkup gjatë samitit të OSBE-së.
“Dhe sot na flet për ‘rrezikun serb’ dhe për orientimin e VLEN-it?”, shkruan Stafai.
Deputetja akuzon gjithashtu BDI-në për afrimin me Beogradin gjatë periudhës së saj në pushtet, duke përmendur edhe vizitën e Ali Ahmetit me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.
Në reagimin e saj, Stafai thotë se VLEN-i nuk pretendon të jetë perfekt, por se ka përgjegjësi të qeverisë, të japë rezultate dhe të korrigjojë gabimet.
“VLEN-i nuk ka nevojë të jetë perfekt. Ka nevojë të qeverisë, të japë rezultate dhe të korrigjojë gabimet”, thekson ajo.
Në fund, Stafai e akuzon BDI-në se ende përpiqet ta paraqesë veten si të vetmen forcë që ka të drejtë të flasë në emër të shqiptarëve.
“Legjitimiteti shqiptar nuk është pronë e BDI-së. As nuk është trashëgimi politike e Ali Ahmetit. Legjitimitetin e japin shqiptarët me votën e tyre. Dhe këtë herë shqiptarët folën”, deklaron deputetja e VLEN-it.
Reagimin e saj Stafai e përmbyll me një goditje direkte ndaj Osmanit, duke iu referuar rezultatit të tij në zgjedhjet lokale: “Dhe në fund, më së paku mund të flasësh ti që humbe pa balotazh.”
Në postscriptum, ajo e ironizon Osmanin me shprehjen: “Bujari i PDSH-së!”
The post Saranda Imeri Stafai: Legjitimiteti shqiptar nuk është pronë e BDI-së, o “Bujari i PDSh-së”! appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



