Serbia arreston një person në Merdare nën dyshimin për “krime lufte” në Podujevë
Policia serbe ka arrestuar një person në pikëkalimin kufitar me Kosovën, Merdare, nën dyshimin për “krime lufte” në Kosovë, njoftuan autoritetet serbe të martën. Ministria e Brendshme e Serbisë nuk e bëri të ditur kombësinë e të dyshuarit, por e identifikoi atë me inicialet H.H, 77-vjeçar. Nuk është e qartë kur është arrestuar ai, por

Policia serbe ka arrestuar një person në pikëkalimin kufitar me Kosovën, Merdare, nën dyshimin për “krime lufte” në Kosovë, njoftuan autoritetet serbe të martën.
Ministria e Brendshme e Serbisë nuk e bëri të ditur kombësinë e të dyshuarit, por e identifikoi atë me inicialet H.H, 77-vjeçar.
Nuk është e qartë kur është arrestuar ai, por ministria serbe tha se ai është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe se ndaj tij do të ngrihet aktakuzë.
KosovaPress e ka pyetur Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës lidhur me këtë rast.
Kohët e fundit janë shpeshtuar arrestimet e shqiptarëve nga autoritetet serbe. Tri javë më parë dy persona u ndaluan nga autoritetet serbe në pikën kufitare në mes të Serbisë dhe Hungarisë-Horgosh.
Së fundmi është raportuar për disa arrestime të shqiptarëve nga autoritetet serbe. Lulzim Halili është arrestuar më 22 korrik – për të cilin Serbia pretendoi se ka qenë pjesë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. OVL-UÇK ka mohuar një gjë të tillë.
Po ashtu, së fundmi në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë është ndaluar Behar Preniqi. Lidhur me këtë rast, ministria e Punëve të Jashtme ka thënë se ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë sqarim për ndalimin e tij.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje, disa herë, qytetarëve që të shmangen udhëtimet dhe kalimet tranzite përmes territorit të Serbisë për shkak të rrezikut të shtuar për ndalime dhe arrestime arbitrare nga autoritetet serbe.
Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu u ndalua më 7 qershor në pikën kufitare nga Hungaria në Serbi. Atij i është shqiptuar masa e paraburgimit një muaj, me pretendimet se ka kryer “vrasje të rëndë”. Më pas, atij i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për 30 ditë të tjera.