Serbia përgatitet për Schengen, por nuk planifikon t’i vendosë viza Rusisë

Serbia planifikon që deri në fund të vitit 2027 të jetë “e gatshme për t’iu bashkuar zonës Schengen”, por “nuk është duke shqyrtuar” vendosjen e vizave për shtetasit rusë.
Që një vend të bëhet pjesë e zonës Schengen, ndër të tjera, duhet ta harmonizojë politikën e vizave me atë të Bashkimit Evropian.
Për Serbinë, kjo do të nënkuptonte heqjen e regjimit pa viza me disa shtete, përfshirë Rusinë.
“Për momentin, ky nuk është prioritet dhe as diçka që e kemi në plan të parë. Ne po ecim gradualisht drejt harmonizimit”, thotë për Radion Evropa e Lirë Velko Odalloviq, i cili udhëheq një trup koordinues, të krijuar së fundmi për anëtarësimin e Serbisë në zonën Schengen.
Odalloviq kujton se harmonizimi i politikës së vizave është një nga kërkesat që Komisioni Evropian ia ka parashtruar Serbisë prej kohësh dhe se ajo nuk lidhet vetëm me Rusinë, por edhe me disa vende të tjera.
“Ne, sigurisht, nuk do të veprojmë si Mali i Zi, i cili e ka bërë dhe paralajmëruar këtë, sepse ai, mësa duket, tashmë ka marrë sinjale se kur do të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. Ne, për fat të keq, nuk po marrim sinjale të tilla për momentin”, thotë Odalloviq.
Mali i Zi do të vendosë nga nëntori viza për shtetasit e Rusisë, Turqisë, Kinës, Bjellorusisë dhe Arabisë Saudite.
Me këtë hap, ky vend harmonizon politikën e tij të vizave me atë të Brukselit.
Mali i Zi konsiderohet vendi me gjasat më të mëdha për t’u bërë anëtar i BE-së deri në fund të kësaj dekade.
The post Serbia përgatitet për Schengen, por nuk planifikon t’i vendosë viza Rusisë appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



