Sfilata e fundit në nder të Giorgio Armanit/ “Kapitulli i fundit” që shkroi vetë
Yje të njohur të kinemasë si Cate Blanchett, Glenn Close dhe Richard Gere morën pjesë të dielën në sfilatën e koleksionit pranverë/verë 2026 të Giorgio Armanit në Milano, koleksioni i fundit që stilisti i madh italian punoi vetë para se të ndahej nga jeta. Fillimisht e planifikuar si një festim për 50-vjetorin e shtëpisë së [...]Read More...

Yje të njohur të kinemasë si Cate Blanchett, Glenn Close dhe Richard Gere morën pjesë të dielën në sfilatën e koleksionit pranverë/verë 2026 të Giorgio Armanit në Milano, koleksioni i fundit që stilisti i madh italian punoi vetë para se të ndahej nga jeta.
Fillimisht e planifikuar si një festim për 50-vjetorin e shtëpisë së modës Armani, sfilata u kthye në një homazh të ndjerë për stilistin, i cili ndërroi jetë në fillim të këtij muaji, në moshën 91-vjeçare.
Ngjarja u zhvillua në galerinë e artit Pinacoteca di Brera, ku janë ekspozuar mbi 120 krijime ikonike të Armanit.Modele që kanë parakaluar për stilistin gjatë pesë dekadave të fundit u rikthyen në pasarelë për të prezantuar një përzierje kostumesh klasike dhe fustanesh vezulluese. Sipas agjencisë së lajmeve AFP, dominuan ngjyrat neutrale, jeshilja, bluja dhe vjollca, duke evokuar dritën, tokën dhe detin.
Koleksioni ishte frymëzuar nga qyteti i Milanos, ku Armani jetonte, si dhe nga ishulli vullkanik Pantelleria, ku ai kishte shtëpinë e pushimit. Në oborrin e galerisë ishin vendosur fenerë letre, njësoj si gjatë homazheve publike për Armanin në Milano, ndërsa modelet parakalonin nën portik. u shpreh Cate Blanchett për AFP-në.
Aktorja fituese e çmimit Oscar tha për agjencinë Reuters se Armani ishte një “njeri thellësisht njerëzor dhe me shumë talent”.
Pas sfilatës, të ftuarit vizituan ekspozitën “Giorgio Armani: Milano, Per Amore”, ku ndër të tjera ekspozohen veshje ikonike, përfshirë kostumin që Richard Gere veshi në filmin American Gigolo të vitit 1980.
Përveç Gere dhe partneres së tij në film, Lauren Hutton, të pranishëm ishin edhe emra të njohur të kinemasë si Samuel L. Jackson, James Norton, Toni Servillo, Zhang Ziyi dhe Spike Lee. Ky i fundit tha për Reuters se Armani ishte “artist, humanist” dhe “njeri i mirë”.
Pika kulmore e sfilatës ishte fustani i fundit, një fustan i gjatë, me shkëlqim blu dhe me mëngë të gjata, i veshur nga modelja e preferuar e Armanit, Agnese Zogla.
Në pjesën e përparme të fustanit ishte stampuar imazhi i vetë stilistit, duke ngjallur duartrokitje në këmbë nga mbi 700 të ftuarit.
“Në një farë mënyre, ky koleksion i fundit ku Giorgio Armani ka punuar personalisht, është një testament i stilit dhe një mbyllje cikli, në mënyrë që të nisin të tjerë”, u theksua në shënimet zyrtare të shtëpisë së modës.
Në përfundim të sfilatës, dolën për t’u përshëndetur mbesa e Armanit, Silvana Armani, si dhe partneri dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Leo Dell’Orco. Muzika u interpretua live në piano nga kompozitori italian Ludovico Einaudi.
Në event mori pjesë edhe Anna Wintour, kryeredaktorja në largim e revistës Vogue, ndërsa sfilata shënoi edhe mbylljen zyrtare të Javës së Modës në Milano për këtë vit.
Në një tjetër sfilatë në qytet, aktorët Meryl Streep dhe Stanley Tucci, të cilët po xhirojnë vazhdimin e filmit The Devil Wears Prada u panë në rreshtin e parë të sfilatës së Dolce & Gabbana, të veshur me syze dielli.
Streep, e cila luan rolin e Miranda Priestly, një figurë e frymëzuar nga vetë Anna Wintour, po xhiron disa nga skenat e filmit pikërisht në Milano.
/abcnews.al