SHASIVARI ME MESAZH PËR KOSOVËN: „DREJTËSIA NUK KA ANË POLITIKE“

Shkup, 13 shtator 2026 – Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, në prag të shpalljes së vendimit të pritshëm më 16 shtator, ka dërguar një mesazh institucional për Kosovën, duke bërë thirrje për respektimin e pavarësisë së gjyqësorit, vendimit gjyqësor dhe të drejtave të të gjitha palëve në proces.
„Më 16 shtator nuk duhet të gjykojë rruga, politika apo emocionet. Do të flasë gjykata. Dhe çfarëdo që të jetë vendimi, ai duhet të respektohet, me ç’rast palët kanë të drejtën e ankesës“, thekson Shasivari.
Sipas tij, në qendër të procesit duhet të jenë të gjitha personat që pretendojnë se kanë qenë viktima të veprave penale, pa dallim të përkatësisë së tyre etnike – shqiptarë, serbë, romë apo të tjerë – por njëkohësisht duhet të garantohen edhe të drejtat e çdo të akuzuari.
„Për faktet, përgjegjësinë dhe fajësinë mund të vendosë vetëm gjykata, mbi bazën e provave dhe ligjit. Asnjë deklaratë politike nuk mund ta zëvendësojë vlerësimin gjyqësor të provave dhe as të paragjykojë fajësinë apo pafajësinë“, porosit ministri.
Shasivari nënvizon se një Kosovë që synon standardet evropiane nuk mund të bëjë përzgjedhje mes viktimave.
„Një Kosovë që synon standardet evropiane nuk mund të zgjedhë cilat viktima do t’i dëgjojë dhe cilat do t’i harrojë. Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë“, deklaron ai.
Ministri i Drejtësisë thekson se Kosova në këtë moment nuk ka nevojë për presion politik mbi drejtësinë, por për besim në institucionet e drejtësisë.
„Si Ministër i Drejtësisë, besoj se përgjegjësia institucionale është e qartë: pavarësia e gjyqësorit duhet të garantohet, vendimet gjyqësore duhet të respektohen, ndërsa të drejtat e çdo viktime dhe të çdo të akuzuari duhet të mbrohen në përputhje me ligjin“, thotë Shasivari.
Ai u bën thirrje institucioneve të Kosovës që momentin ta përballojnë me qetësi, përgjegjësi dhe maturi shtetërore.
„Në një demokraci funksionale, forca e shtetit nuk matet me reagimin ndaj një vendimi, por me aftësinë për ta respektuar ligjin dhe institucionet pikërisht atëherë kur kjo është më e vështirë“, thekson ministri.
Në përmbyllje, Shasivari përcjell një mesazh të drejtpërdrejtë institucional për Kosovën:
„Respektoni gjykatën. Respektoni vendimin. Mbroni integritetin e institucioneve.“
„Sepse drejtësia nuk i përket një partie, një qeverie apo një individi. Drejtësia i përket shtetit dhe të gjithë qytetarëve të tij. Ky është standardi evropian“, përfundon Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



