Shitësi i fundit i gazetave në Francë, shpërblehet me një nga nderimet më të larta

Në zemër të Parisit, ndër rrugicat boheme të Bregut të Majtë, ku dikur flijonin fjalët e Sartre-it dhe tingëllonin vargjet e Baudelaire-it, ende ecën një njeri me gazetat nën krah si “kalorësi i fundit” i shtypit të shkruar. Që prej më shumë se 50 vitesh, Ali Akbar është bërë pjesë e peizazhit kulturor të qytetit, [...]Read More...

Shitësi i fundit i gazetave në Francë, shpërblehet me një nga nderimet më të larta

Në zemër të Parisit, ndër rrugicat boheme të Bregut të Majtë, ku dikur flijonin fjalët e Sartre-it dhe tingëllonin vargjet e Baudelaire-it, ende ecën një njeri me gazetat nën krah si “kalorësi i fundit” i shtypit të shkruar.

Që prej më shumë se 50 vitesh, Ali Akbar është bërë pjesë e peizazhit kulturor të qytetit, një legjendë urbane që nuk ka pushuar së përçuari “fjalën e lirë” nëpër kafenetë e Saint-Germain.

Sot, ai nuk është thjesht një shitës gazetash ai është i fundit i një epoke në Francë, ndoshta edhe në të gjithë Evropën. Dhe për këtë mision romantik, do të nderohet me një nga çmimet më të larta të Republikës Franceze. Presidenti Emmanuel Macron, dikur një student që blinte Le Monde nga duart e tij, do t’i dorëzojë muajin e ardhshëm Urdhrin e Meritës një akt mirënjohjeje ndaj një njeriu që nuk hoqi kurrë dorë nga besimi në fuqinë e fjalës së shtypur.

“Dikur njerëzit mblidheshin rreth meje për të marrë gazetën. Tani duhet t’i ndjek klientët që t’ua shes,” thotë ai, pa e humbur optimizmin.

Në moshën 72-vjeçare, Ali Akbar është një figurë e dashur e lagjes. “Kam ardhur këtu në vitet ’60 dhe jam rritur me Aliun. Është si vëlla për mua,” thotë një banore. “E njeh të gjithë dhe është shumë gazmor,” shton një tjetër.

I lindur në Rawalpindi, Pakistan, Akbar mbërriti në Evropë në fund të viteve ’60, fillimisht në Amsterdam, ku punoi në një anije turistike. Në vitin 1972, anija u ankorua në Rouen të Francës, dhe një vit më vonë ai u vendos në Paris. Dokumentet e qëndrimit i siguroi në vitet ’80.

Në Saint-Germain, dikur qendër intelektuale e Parisit, ai u njoh me artistë dhe personalitete të shumta. Elton John dikur e ftoi për një çaj me qumësht në Brasserie Lipp, ndërsa para universitetit prestigjioz Sciences Po u miqësua me breza të tërë studentësh që më vonë u bënë politikanë përfshirë vetë Macronin.

Megjithatë, sipas tij, lagjja ka humbur atmosferën e dikurshme. “Dikur kishte botues, shkrimtarë, aktorë e muzikantë. Vendi kishte shpirt. Tani është vetëm një destinacion turistik,” thotë ai me një buzëqeshje të lehtë./abcnews.al