“Shkëndija” e Zagrebit prezanton “K’cimin e Tropojës” në skenën e njohur “Vatroslav Lisinski”

Shoqata shqiptare “Shkëndija” nga Zagrebi ka prezantuar vallen tradicionale “K’cimi i Tropojës” në Sallën e Koncerteve “Vatroslav Lisinski” në kryeqytetin e Kroacisë, në kuadër të një programi që bashkoi ansamble të pakicave të ndryshme kombëtare, transmeton albinfo.ch.
Në këtë ngjarje u paraqitën 16 ansamble që përfaqësonin komunitete të ndryshme, përfshirë shqiptarët, boshnjakët, malazezët, çekët, hungarezët, maqedonasit, gjermanët dhe austriakët, polakët, romët, rutenasit, sllovakët, sllovenët, serbët, italianët, ukrainasit dhe hebrenjtë.
Në aktivitet mori pjesë edhe kryeministri i Republikës së Kroacisë, Andrej Plenković.
Përfaqësimi shqiptar nga shoqata “Shkëndija” u realizua përmes “K’cimit të Tropojës”, një valle tradicionale e veriut të Shqipërisë, e njohur për ritmin e fuqishëm dhe lëvizjet karakteristike. E shoqëruar tradicionalisht me instrumente si çiftelia dhe tupani, kjo valle shpreh krenarinë, lirinë dhe frymën e bashkësisë shqiptare.
Rëndësia e kësaj tradite është njohur edhe në nivel ndërkombëtar. Që nga viti 2024, “K’cimi i Tropojës” është pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit të UNESCO-s.
Në program u paraqitën gjithashtu Ansambli i Merituar Akademik i Këngëve dhe Valleve të Ukrainës së Karpateve “Verkhovyna” dhe ansambli “Lado”.
Ngjarja u organizua nga Këshilli për Pakicat Kombëtare i Republikës së Kroacisë, me mbështetjen e të njëjtit institucion, me synimin për të prezantuar kulturat dhe traditat e komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kroaci.
Pjesëmarrja e shoqatës “Shkëndija” me “K’cimin e Tropojës” përbën një prezantim të traditës shqiptare në një aktivitet kulturor ndërkombëtar, duke sjellë në skenë një nga format e njohura të trashëgimisë sonë folklorike./Albinfo.ch
The post “Shkëndija” e Zagrebit prezanton “K’cimin e Tropojës” në skenën e njohur “Vatroslav Lisinski” appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



