Shkon në 310 numri i të lënduarve nga protestat në Shqipëri, 191 prej tyre policë

Shkon në 310 numri i të lënduarve nga protestat në Shqipëri, 191 prej tyre policë

Numri i personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e incidenteve të lidhura me protestat në Shqipëri ka arritur në 310, që nga 13 tetori.

Sipas të dhënave të institucioneve shëndetësore, pjesën më të madhe të të lënduarve e përbëjnë pjesëtarët e Policisë, me gjithsej 191 raste.

Në mesin e personave që kanë marrë trajtim mjekësor janë edhe 88 protestues dhe 31 kalimtarë të rastit.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur katër kalimtarë që kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore.

Mes tyre ishte edhe një përfaqësues i një medie ndërkombëtare, i cili pas trajtimit është liruar nga spitali, jashtë rrezikut për jetën.

Dy kalimtarë të tjerë vazhdojnë të qëndrojnë në këtë institucion shëndetësor, ku po u nënshtrohen ekzaminimeve mjekësore. Një person tjetër është liruar pas trajtimit.

Edhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë regjistruar raste të reja të të lënduarve gjatë ditës së sotme.

Në këtë spital kanë kërkuar ndihmë një punonjës policie, një protestues i mitur dhe një përfaqësues i medias.

Sipas njoftimit të institucionit, gjendja shëndetësore e të tre personave është stabile.

Bilanci prej 310 personash përfshin të gjithë ata që kanë marrë ndihmë mjekësore nga 13 tetori deri më sot, sipas raportimeve të strukturave spitalore.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.