“Mos shpifni, krenaria ime më e madhe është që luaj për Kosovën” – Florent Muslija thyen heshtjen

“Mos shpifni, krenaria ime më e madhe është që luaj për Kosovën” – Florent Muslija thyen heshtjen

Florent Muslija ka reaguar pas raportimeve se ai mund të ishte njëri prej lojtarëve që do të ndiqnin shembullin e Amir Rrahmanit dhe do të bojkotonin Kombëtaren e Kosovës.

Kapiteni Amir Rrahmani ditë më parë njoftoi se nuk do të luajë më për “Dardanët”, duke shprehur pakënaqësi ndaj drejtuesve të Federatës së Futbollit të Kosovës. Pas këtij zhvillimi, u raportua se edhe disa futbollistë të tjerë, të udhëhequr nga Edon Zhegrova, mund të merrnin të njëjtin vendim.

Në mesin e emrave të përmendur ishte edhe Florent Muslija, së bashku me Arijanet Muricin, Vedat Muriqin dhe Milot Rashicën.

Megjithatë, mesfushori i Freiburgut, i cili aktualisht është i lënduar, i ka mohuar kategorikisht këto raportime. Muslija ka bërë të ditur se, nëse do të ishte i gatshëm fizikisht, me kënaqësi do t’i bashkohej Kosovës për ndeshjet e shtatorit.

“Faleminderit që më kontaktuat. Më vjen keq që emri im është përfolur për bojkot ose diçka të tillë. Unë jam i lënduar, fatkeqësisht, por sikur të isha shëndoshë e mirë, si gjithmonë me kënaqësi do të vija të luaja për vendin tim. Këto janë shpifje”, ka thënë Muslija për “Gazetën Olle”.

28-vjeçari ka theksuar se për të nuk ka dilema kur bëhet fjalë për përfaqësimin e Kosovës, duke nënvizuar se veshja e fanellës së “Dardanëve” përbën krenarinë e tij më të madhe.

“Unë vij të luaj për vendin tim, për Kosovën, nuk vij të luaj për asnjë person tjetër. Të vesh fanellën e Kombëtares është krenaria ime më e madhe”, ka deklaruar ai.

Muslija gjithashtu ka bërë thirrje për unitet para ndeshjeve të rëndësishme që e presin Kosovën, duke kërkuar që emri i tij të mos përdoret për raportime që, sipas tij, mund të krijojnë përçarje brenda Kombëtares.

“Shpresoj që emri im të mos përdoret kurrë për lajme të tilla përçarëse. Kosova ka nevojë të jetë e bashkuar, se na presin ndeshje shumë të rëndësishme”, ka përfunduar Muslija.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.