Shqipëria mirëpret seancën e 17-të plenare të ARLEM, në fokus forcimi i bashkëpunimit Euro-Mesdhetar dhe roli i pushtetit vendor

Shqipëria mirëpret Asamblenë Rajonale dhe Lokale Euro-Mesdhetare (ARLEM), ku synohet forcimi i bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve vendore dhe rajonale të vendeve të Bashkimit Evropian dhe partnerëve të Mesdheut Jugor, si dhe nxitja e nismave konkrete për zhvillim të qëndrueshëm në rajonin Euro-Mesdhetar.
Aktivitetet zhvillohen në datat 26-28 tetor 2026, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve vendore dhe rajonale, institucioneve evropiane dhe organizatave ndërkombëtare.
Programi përfshin takime koordinuese, sesione tematike, diskutime mbi zbatimin e Paktit për Mesdheun, ceremoninë e ndarjes së Çmimit ARLEM 2026, për sipërmarrjen e re vendore në Mesdhe si dhe një vizitë studimore dhe kulturore në Roskovec dhe Berat.
Në kuadër të programit, më 27 tetor do të zhvillohet seanca e hapjes, me fjalët përshëndetëse të Majlinda Bufi, Kryetare e Bashkisë Roskovec, dhe Adelina Farrici, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës Kombëtare të Bashkive të Shqipërisë. Të pranishëm do të jenë edhe bashkëpresidentët e ARLEM-it si përfaqësues të Komisionit Evropian, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe Unionit për Mesdheun.
Një nga temat kryesore të takimit do të jetë zbatimi i Paktit për Mesdheun përmes angazhimit të autoriteteve vendore dhe rajonale. Diskutimet do të përqendrohen te sfidat dhe mundësitë konkrete në fusha me rëndësi për zhvillimin e komuniteteve, përfshirë barazinë gjinore, menaxhimin e ujit, përballimin e ndryshimeve klimatike, mbrojtjen civile dhe ngritjen e kapaciteteve institucionale.
Gjatë sesionit tematik do të prezantohen iniciativa dhe projekte konkrete, ndër të cilat projekti për barazinë gjinore në Shqipëri, “Gender Equality Facility in Albania”, si dhe projektet “NATURIncMed”, “ForestMED” dhe “MEDTER”.
Programi do të përmbyllet më 28 tetor me një vizitë studimore dhe kulturore në Roskovec dhe Berat, duke u ofruar pjesëmarrësve mundësinë të njihen nga afër me territorin, zhvillimin vendor dhe trashëgiminë kulturore të Shqipërisë.
Përmes këtij aktiviteti, Shqipëria kontribuon në forcimin e dialogut dhe të partneriteteve Euro-Mesdhetare, duke vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet pushtetit vendor, institucioneve evropiane dhe partnerëve ndërkombëtarë për përballimin e sfidave të përbashkëta dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm.
The post Shqipëria mirëpret seancën e 17-të plenare të ARLEM, në fokus forcimi i bashkëpunimit Euro-Mesdhetar dhe roli i pushtetit vendor appeared first on Euronews Albania.
Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



