Pse po shtyhet zgjedhja e zëvendësministrave të rinj?

Zgjedhja e zëvendësministrave të rinj në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut është shtyrë për gjysmën e parë të muajit të ardhshëm, për shkak se partnerët e koalicionit qeveritar janë të fokusuar tërësisht te raundi i dytë i zgjedhjeve lokale për kryetar komune në Bërvenicë, i cili do të mbahet më 1 nëntor, përcjell INA.
Burime nga partnerët e koalicionit bëjnë me dije se Kryeministri Hristijan Mickoski pritet të presë përfundimin e këtyre zgjedhjeve për t’u ulur në tryezën e bisedimeve me krerët e VLEN, Bilall Kasami e Izet Mexhiti, si dhe me kryetarin e ZNAM, Maksim Dimitrievski.
Pas riorganizimit të fundit të kabinetit qeveritar, pozicionet e zëvendësministrave mbetën të zbrazëta në dy dikastere kyçe: në Politikë Sociale, pasi Ǵoko Velkovski mori postin e ministrit, si dhe në Kulturë, pasi Sedat Sulejmani u emërua ministër. Përveç plotësimit të vendeve të vakëta, paralajmërohen edhe rokada mes partnerëve të koalicionit.
Nga blloku VLEN bëjnë me dije se tashmë kanë rënë dakord me kryeministrin për marrjen e postit të zëvendësministrit në Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa synojnë edhe një tjetër post zëvendësministri – fillimisht në Politikë Sociale, e tani edhe në Ministrinë e Bujqësisë, ku ministër është Borçe Serafimovski nga ZNAM. Megjithatë, VLEN do të duhet të heqë dorë nga dy pozicione të tjera për të ruajtur numrin e njëjtë të zëvendësministrave.
Përveç emërimeve në nivel zëvendësministrash, kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, konfirmoi se në takimin e ardhshëm me kryeministrin do të diskutohet edhe për emërimin dhe zëvendësimin e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve në institucionet publike ku ka nevojë për ndryshime.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



