Si paraqitet situata në Durrës,”fryhet” lumi Erzen: T’i luten Zotit të mos bjerë shi
Çfarë po ndodh me Durrësin?! – Kjo është pyetja që na lind natyrshëm të gjithëve thuajse sa herë që ka reshje shiu në vend. Problematike vijon të jetë situata në këtë qark që prej orës 06:00 të mëngjesit, 6 dhjetor, me akset rrugore të mbuluara totalisht nga uji dhe përmbytje në banesa e biznese. Emisioni […]
Çfarë po ndodh me Durrësin?! – Kjo është pyetja që na lind natyrshëm të gjithëve thuajse sa herë që ka reshje shiu në vend. Problematike vijon të jetë situata në këtë qark që prej orës 06:00 të mëngjesit, 6 dhjetor, me akset rrugore të mbuluara totalisht nga uji dhe përmbytje në banesa e biznese.
Emisioni “Opinion” i kësaj të marte nisi pikërisht me atë që po ndodh në qytetin bregdetar.
Përmes një lidhjeje direkte, gazetarja e Klan News, Enkeleda Arapi, tha se “gjithçka u paralizua, me zona plotësisht të pakalueshme”.
Gazetarja: Uji ka vërshuar thuajse në të gjitha rrugët!
Fevziu: Shihni pamjet e shtëpive të mbushura e të zhytura, imagjino që çdo lloj mobilje, sidomos elektroshtëpiaket kanë dalë jashtë kontrollit. Dikush më shkruajti sot se për të dytën herë brenda një kohe të shkurtër, i prishen të gjitha pajisjet, ndërsa një emigrant tjetër që jetonte jashtë tha se nuk po gjen njeri të heqë baltën. Sot më thanë që disa nga hidrovorët e zonave më problematike nuk kanë punuar, është e vërtetë?
Gazetarja: Kanë qenë denoncime që prej orëve të para të mëngjesit, megjithatë unë vetë kam parë se hidrovori i ri punonte me 9 pompa thithëse, por ka pasur probleme hidrovori i vjetër. Në zonat që historikisht përmbyten ka mungesë të mirëfilltë të investimeve për kanalizimet.
Fevziu: Më thanë që në Durrës janë investuar miliona e miliona euro për kanalizime dhe për ujin. Nuk ka as ujë, as kanalizime. Ka ujë për t’u përmbytur, por s’ka ujë për të pirë.
Gazetarja: Në zonën e ish-Kënetës, tani që po flasim, janë 800 banesa nën ujë. Grupet e emergjencës ndodhen në terren, ka mungesë të rrjetit të kanalizimeve.
Fevziu: Ka 20 vjet që dëgjoj se ka një plan të gatshëm! Janë 10 mijë të shpërngyulur?
Gazetarja: Jo aq, por ka një numër të lartë të shpërngulurish!
Po si paraqitet situata në lumin Erzen?
“Situatë kritike, është në kapacitetet maksimale dhe nëse do ketë dalje të lumit do ketë shumë probleme për zonën e Shijakut dhe atë të Katundit të Ri”, raportoi Arapi.
“Më the që përpjekjet janë për të mbajtur nën kontroll lumin Erzen. Mund ta mbajnë vetëm duke iu lutur Zotit të mos bjerë shi se lumin s’kanë si e mbajnë. As ministri as gjithë ministrat bashkë edhe po t’i vënë gjoksin!”, përfundoi me ironi Fevziu.
Sipas gazetares, edhe pse me vonesë, po punohet për forcimin e argjinaturave./ Tvklan.al

