Studentët shqiptarë të St.Gallenit: kur ekonomia takon kulturën shqiptare

“Organizojmë ngjarje në përputhje me programet studimore të HSG-së – por edhe aktivitete kulturore për të promovuar identitetin tonë shqiptar” The post Studentët shqiptarë të St.Gallenit: kur ekonomia takon kulturën shqiptare appeared first on Albinfo.

Studentët shqiptarë të St.Gallenit: kur ekonomia takon kulturën shqiptare

Universiteti i St.Gallenit (HSG) njihet për profilin e tij të lartë, në sferat si ekonomia dhe matematika, të vlerësuar në nivele ndërkombëtare. Edhe në këtë universitet studiojnë një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve, të cilët së fundi kanë (ri)themeluar shoqatën e tyre studentore. Lidhur me themelimin, aktivitetin, misionin dhe perspektivën e shoqatës, për Albinfo.ch flet kryetarja, Laureta Hyseni.

“Shoqata jonë në HSG në të vërtetë është riformuar. Ajo është themeluar fillimisht në vitin 2012, mirëpo për shkak të mosaktivitetit është shuar pas një kohe. Në vitin 2023 kam marrë iniciativën për ta rihapur shoqatën. Në shtator, së bashku me Shqipdona Cenaj dhe Art Mushica, kemi marrë përgjegjësinë për të themeluar shoqatën nga e para. Në shkurt/mars të vitit 2024, shoqata është akredituar zyrtarisht nga universiteti dhe prej atëherë jemi pjesë e njohur si organizatë studentore brenda HSG-së”, thotë kryetarja e Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të St. Gallenit, Laureta Hyseni.

“Qëllimi ynë kryesor i shoqatës është përkrahja për studentët shqiptarë në aspektin akademik, profesional dhe kulturor. Organizojmë ngjarje që fokusohen në ekonomi, politikë dhe drejtësi – fusha që përputhen me programet studimore të HSG-së – por përveç kësaj, përpiqemi të organizojmë edhe aktivitete kulturore për të promovuar identitetin tonë shqiptar”, thotë ajo.

Fushat dhe aktivitetet kryesore

Lidhur me fokusin ku shoqata ka përqendruar veprimtarinë e saj, Laureta Hyseni thotë se ai ka të bëjë kryesisht me çështje studentore por pa anashkaluar edhe ato kulturore e identitare. “Në fillim jemi fokusuar në ndërtimin e një komuniteti të fortë brenda studentëve shqiptarë dhe në organizimin e aktiviteteve që ndihmojnë zhvillimin profesional të tyre. Tani organizojmë rregullisht ngjarje akademike e kulturore, bashkëpunojmë me shoqata tjera në HSG dhe kemi për qëllim të krijojmë një rrjet të gjerë edhe jashtë universitetit – sidomos me alumni dhe profesionistë shqiptarë që janë aktivë në tregun e punës.

Përkundër faktit që jemi një shoqatë e re, kemi arritur të realizojmë disa aktivitete me ndikim. Më i veçuari ishte vizita e Kryeministrit të Kosovës në HSG, ku u diskutua për rolin e politikës dhe ekonomisë në sfidat dhe mundësitë e gjeneratës së re në Kosovë – me mbi 500 pjesëmarrës, ishte një fillim jashtëzakonisht i suksesshëm. Pastaj kemi pasur edhe vizitë në kompaninë Hitachi, takime për rrjetëzim si dhe një projekt të përbashkët mentorimi me Swissalbs dhe shoqatat tjera shqiptare në Zvicër. Përndryshe, kemi edhe shumë plane dhe ide për projekte të reja në të ardhmen. Viti i parë ka qenë shumë i mirë dhe jemi në përpjekje të vazhdueshme për përmirësim.

Numri i anëtarëve dhe angazhimi

“Aktualisht kemi mbi 100 anëtarë aktivë dhe mbi 150 të regjistruar gjithsej. Varësisht nga tipi i ngjarjes (komunitare, akademike apo për rrjetëzim), marrin pjesë nga 30 deri në mbi 80 persona”.

Sfidat
“Për fat të mirë nuk kemi shumë sfida. Më e zakonshmja është gjetja e hapësirës dhe orarit të përshtatshëm për t`i organizuar ngjarjet tona – për shkak të numrit të madh të shoqatave aktive në HSG. Po ashtu, ndonjëherë sfidat kanë të bëjnë me koordinimin brenda bordit, pasi kemi anëtarë me

sfonde dhe prioritete të ndryshme. Megjithatë, kemi përkrahje dhe liri të madhe nga universiteti, prandaj funksionojmë me shumë fleksibilitet”, thekson kryetarja e shoqatës.

Arritje dhe krenari

“Jemi krenarë me faktin që jemi rritur kaq shpejt dhe që kemi pasur kaq shumë përkrahje nga komuniteti shqiptar – kjo shihet edhe jashtë universiteteve. Partneriteti i hershëm me organizata si Swissalbs tregon se ekziston një nevojë e theksuar për rrjetëzim dhe se bashkë mundemi të arrijmë më shum”ë.

Bashkëpunimi me organizata tjera

“Tashmë kemi bashkëpunime të ngushta me shoqatat tjera shqiptare të studentëve në Zvicër – siç u përmend edhe më lartë, përmes programit të mentorimit me Swissalbs. Në të ardhmen planifikojmë bashkëpunime edhe jashtë Zvicrës, sidomos në Kosovë dhe me rrjete studentore ndërkombëtare”.

Perspektiva

“Gjatë vitit 2023 janë krijuar disa shoqata ë reja shqiptare në universitete, në Zvicër – përveç nesh, edhe në Luzern, Bazel dhe Bernë. Kjo tregon se komuniteti ynë është duke u rritur dhe duke u organizuar gjithnjë e më shumë. Besoj fuqishëm që ky trend do të vazhdojë dhe do të sjellë më shumë mundësi, bashkëpunime e ndikim pozitiv”, thekson bashkëbiseduesja jonë.

Mesazh për studentët e rinj shqiptarë

“Mesazhi ynë për studentët shqiptarë që vijnë për të studiuar në Zvicër është i qartë: Mos u frikësoni dhe mos u ndjeni vetëm. Këtu do të gjeni një komunitet mbështetës dhe të hapur, që do t’ju mirëpresë. Shumë nga anëtarët tanë vijnë direkt nga Kosova, Maqedonia e Veriut apo vende të tjera – dhe janë integruar shumë shpejt përmes shoqatës sonë”, përfundon Laureta Hyseni, kryetare e Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të St. Gallenit.

“Buddy-System” ose një “asistent” për çdo student të ri

Për studentët e rinj shqiptarë në HSG kemi vendosur një “Buddy-System“, ku secilit student i caktohet një person ndihmues që e mbështet gjatë vitit të parë – i cili zakonisht është më sfidues. Kemi plane që këtë sistem ta zhvillojmë edhe më shumë.

 

 

 

The post Studentët shqiptarë të St.Gallenit: kur ekonomia takon kulturën shqiptare appeared first on Albinfo.