Suksesi mbetet nën hije

Përveç problemit me librat, nxënësit shqiptar të Idrizovës dhe Çashkës u përballën edhe me diskriminimin etnik si dhe me protesta. Në Idrizovë protestuan nxënësit dhe prindërit shqiptarë, ndërsa në Çashkë The post Suksesi mbetet nën hije appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Suksesi mbetet nën hije

Përveç problemit me librat, nxënësit shqiptar të Idrizovës dhe Çashkës u përballën edhe me diskriminimin etnik si dhe me protesta. Në Idrizovë protestuan nxënësit dhe prindërit shqiptarë, ndërsa në Çashkë ata maqedonas, të cilët ishin kundër hapjes së paraleles shqipe

Probleme me librat, protesta, ulje e numrit të nxënësve për shkak të migrimit, rezultatet e dobëta në PISA… janë vetëm disa nga sfidat që e shoqëruan edhe këtë vit shkollor. Edhe përkundër premtimeve të ministrit të Arsimit, Jeton Shaqiri, se nxënësit këtë vit do të furnizohen me tekste shkollore, kjo nuk ndodhi dhe nxënësit gjysmë-vjetorin e përfunduan me mungesën e librave, për të cilën ministri i Arsimit kishte deklaruar se nuk ndjen përgjegjësi. “Unë nuk mund të mbajë përgjegjësi për procedurat që janë në varësi të shërbimeve të tjera. Pjesën time të përzgjedhjes së operatorit ekonomik e kam përfunduar në afatin e duhur”, ishte deklarata e Shaqirit në shtator 2023. Për shkak të mungesës së librave, MASH u përball edhe me padi penale nga KPMD, ku sipas anëtares së këtij komisioni Vesna Bendevska, më shumë se një e treta e teksteve nuk janë dorëzuar, apo nga 123 tekstet e kërkuara, 46 kanë munguar.

Përveç problemit me librat, nxënësit shqiptar të Idrizovës dhe Çashkës u përballën edhe me diskriminimin etnik si dhe me protesta. Në Idrizovë protestuan nxënësit dhe prindërit shqiptarë, ndërsa në Çashkë ata maqedonas, të cilët ishin kundër hapjes së paraleles shqipe. Sa i përket këtyre problemeve, Shaqiri kishte deklaruar se përderisa ekzistojnë këto raste, ne nuk mund të flasim për integrimin ndëretnik.

“Në këtë moment do të doja të dërgoja një porosi, ajo është se nuk mund të flasim për integrimin ndëretnik në arsimin fillor dhe të mesëm sepse akoma kemi raste të caktuara si në Çashkë dhe Idrizovë, ku palë e caktuar nuk u lejon nxënësve të mësojnë në gjuhën amtare”, deklaroi Shaqiri. Dështim i sistemit arsimor ishte edhe testimi i PISA-s në të cilin nxënësit e Maqedonisë së Veriut u radhitën në vendin e 71 për shkrim-lexim dhe 61 për matematik, kurse nga Ministria e Arsimit fajin për rezultatet e dobëta ia lan pandemisë COVID-19, duke nënvizuar se është shënuar rënie e përgjithshme e nivelit të shkrim-leximit, matematikës dhe shkencave te nxënësit e moshës 15 vjeçare tek pothuajse të gjitha vendet pjesëmarrëse. Për rezultatet e dobëta në PISA reaguan edhe nga VLEN (aso kohe LEN), të cilët shprehën shqetësimin e tyre në lidhje me rezultatet. “Partizimi i arsimit, punësimet partiake, mungesa e teksteve shkollore dhe objekteve dinjitoze, janë disa nga arsyet për këtë situatë të trishtueshme”, thanë nga VLEN.

Sipas raportit të Entit Shtetëror të Statistikave numri i nxënësve në shkollat fillore këtë vit është ulur për 1.6% dhe në shkollat e mesme për 2.8%, krahasuar me vitin paraprak.

“Në fillim të vitit shkollor 2023/2024, numri i nxënësve në shkollar fillore të rregullta është 182,124, që paraqet ulje të numrit për 1.6% në krahasim me vitin paraprak”, njoftuan nga ESHS duke shtuar më tej se në shkollat e mesme kemi 67.278 nxënës apo 2.8% më pak se një vit më parë. Edhe përkundër paralajmërimeve se testimi ekstern këtë vit do të mbahet në sallat sportive apo korridoret e shkollave në mënyrë që të shmanget skandali i vitit të kaluar kur pyetjet dhe përgjigjet e testit u shpërndan në rrjetin social Viber, situata u përsërit edhe këtë vit.

Nga Qendra Shtetërore e Provimeve njoftuan se maturantët edhe këtë vit kanë ndarë testet në grupet në Viber. “Kësaj radhe grupi i gjuhës angleze kishte 3000 nxënës, nuk e di nëse të gjithë janë nxënës pasi edhe ne ishim pjesë e atij grupi. Grupi i matematikës rreth 300-400 nxënës. Nuk pamë përgjigje që do të vinin nga ne, por edhe këtë herë në të njëjtën mënyrë u fotografua në momentin e shpërndarjes së testeve, pak minuta para se të fillonte provimi, me ndryshimin se në këtë kohë ne ishim pak më të mprehtë në lidhje me veprimin”, tha drejtoresha Biljana Mihajlovska. Procesi mësimor për shkollat e mesme ka përfunduar me 10 qershor ndërsa për shkollat fillore pushimi do të nisë një javë më vonë, nga 17 qershori, kjo pasi MASH pranoi kërkesën e Unionit të Nxënësve të shkollave të Mesme. (koha.mk)

The post Suksesi mbetet nën hije appeared first on Flaka, në çdo lajm... .