“Superman” nis fluturimin me mbi 130 milionë dollarë në arkëtime

Nuk është as zog, as avion, është filmi më i ri “Superman” që po ngjitet fuqishëm drejt majës së arkëtimeve në kinematë amerikane. Filmi i prodhuar nga Warner Bros. Pictures, me regji nga James Gunn, arkëtoi rreth 56.5 milionë dollarë vetëm të premten në SHBA, duke iu shtuar 22.5 milionë dollarëve të fituara nga shfaqjet [...]Read More...

“Superman” nis fluturimin me mbi 130 milionë dollarë në arkëtime

Nuk është as zog, as avion, është filmi më i ri “Superman” që po ngjitet fuqishëm drejt majës së arkëtimeve në kinematë amerikane.

Filmi i prodhuar nga Warner Bros. Pictures, me regji nga James Gunn, arkëtoi rreth 56.5 milionë dollarë vetëm të premten në SHBA, duke iu shtuar 22.5 milionë dollarëve të fituara nga shfaqjet e para të enjten. Bazuar në parashikimet e hershme, “Superman” pritet të arrijë shifrën e afërsisht 130 milionë dollarëve në tregun amerikan deri në fund të fundjavës.

Kompania Warner Bros. Discovery, pronare e CNN, e ka konsideruar këtë film si një nga më sfiduesit për t’u parashikuar në aspektin e suksesit financiar.

“‘Superman’ ka qenë një nga filmat më të vështirë për t’u projektuar,” tha Shawn Robbins, drejtor analitik në Fandango dhe themelues i faqes Box Office Theory. Ai thekson se interesi për filmat me superheronj ka rënë kohët e fundit, veçanërisht për filmat e DC Studios, të cilët kanë hasur vështirësi përballë suksesit të Marvel.

Megjithatë, ky projekt shënon një rifillim për universin filmik të DC-së. “Ky është një ‘Superman’ për epokën moderne dhe një mundësi për një rifreskim të identitetit të DC Comics,” tha Paul Dergarabedian, analist i lartë në kompaninë Comscore.

Sipas Dergarabedian, pritshmëritë fillestare për filmin ishin rreth 90 milionë dollarë, por pritja pozitive nga publiku dhe kritika ka ndikuar në rritjen e parashikimeve. Filmi ka marrë 82% vlerësim në Rotten Tomatoes dhe 95% në Popcornmeter, duke reflektuar një pritje të ngrohtë.

Krahasuar me adaptimin e mëparshëm të personazhit nga Zack Snyder në “Man of Steel” (2013), i cili arkëtoi rreth 402.6 milionë dollarë në SHBA (i rregulluar për inflacion), filmi i ri ofron një qasje më të lehtë dhe më optimiste ndaj figurës ikonike të Supermanit.

Filmi gjithashtu ka përfituar nga interesimi i rritur për prodhime të mëdha verore, si “Jurassic World Rebirth”, që debutoi javën e kaluar me 147 milionë dollarë në arkëtimet amerikane.

“‘Superman’ është një film tipik veror një film argëtues që të fton në kinema,” shtoi Dergarabedian.

Robbins theksoi se filmi i ri është dalluar nga filmat e tjerë të zhanrit, falë tonit më të lehtë dhe optimizmit që përcjell, pavarësisht vlerësimit PG-13. Ai parashikon që filmi do të tërheqë jo vetëm adhuruesit e komikëve, por edhe familjet.

Ndërkohë, disa filma të tjerë me superheronj kanë dështuar në arkëtime, siç ishte rasti i “The Marvels” në vitin 2023, që debutoi me vetëm 46 milionë dollarë, shifra më e ulët në historinë e MCU-së. Në të kundërt, filmi “Deadpool & Wolverine”, me vlerësim R, arkëtoi mbi 200 milionë dollarë vetëm në fundjavën e parë të korrikut 2024.

“Publiku ka parë aq shumë filma superheroikë në 20 vitet e fundit, sa shumë prej tyre ndihen të lodhur nga ky zhanër. Mendojnë: ‘Është i mirë, por dua diçka ndryshe’,” shpjegoi Robbins.

Sipas tij, suksesi i “Superman” do të varet kryesisht nga forca e fjalës së gojës në ditët në vijim.

“Gjithmonë ka qenë një lojë pritshmërish — dhe gjithmonë do të mbetet e tillë,” përfundoi Robbins./abcnews.al