SWISS dhe Edelweiss zgjerojnë ofertën e fluturimeve për sezonin veror 2027

Kompania ajrore SWISS do të shtojë destinacione dhe frekuenca fluturimesh në Evropë dhe Azi, ndërsa Edelweiss do të ofrojë më shumë lidhje drejt Floridës, Afrikës dhe destinacioneve tropikale.
Kompania ajrore zvicerane Swiss International Air Lines (SWISS) dhe kompania e saj motër Edelweiss po zgjerojnë oraret e fluturimeve për sezonin veror 2027.
SWISS do të nisë fluturimet drejt Tuluzës, në jug të Francës, si dhe do të shtojë frekuencat në disa linja evropiane dhe aziatike.
Sipas njoftimit të kompanisë, nga 25 qershori deri më 23 gusht 2027, SWISS do të operojë dy fluturime në javë nga Cyrihu drejt Tuluzës.
Kompania do të rrisë gjithashtu numrin e fluturimeve drejt Parisit, nga 28 në 30 në javë, dhe drejt Nicës, nga 32 në 34 fluturime në javë.
Frekuenca më të larta do të ketë edhe në linjat drejt Hamburgut, Budapestit dhe Bremenit. Ndërkohë, linja drejt Nishit, në Serbi, do të operojë gjatë gjithë sezonit veror, me një rritje nga dy në tri fluturime në javë.
“Po e zgjerojmë ofertën aty ku mund të krijojmë vlerën më të madhe të shtuar”, deklaroi drejtori ekzekutiv i SWISS, Jens Fehlinger.
Më shumë fluturime drejt Azisë
Azia mbetet një nga drejtimet kryesore të zgjerimit të kompanisë. Qyteti indian Bengaluru do të vazhdojë të jetë pjesë e orarit veror, ndërsa SWISS do të shtojë fluturimet drejt Tokios. Zgjerim të ofertës parashihet edhe në linjën drejt Montrealit.
Gjatë sezonit veror 2027, SWISS do të fluturojë nga Cyrihu drejt 95 destinacioneve, dy më shumë se në verën e vitit 2026. Prej tyre, 69 janë destinacione evropiane dhe 26 destinacione ndërkontinentale.
Kompania do të zgjerojë gjithashtu ofertën e fluturimeve nga Gjeneva. Detajet pritet të bëhen publike në ditët në vijim.
Edelweiss shton fluturimet drejt Floridës dhe Afrikës
Edhe Edelweiss do të zgjerojë rrjetin e saj të fluturimeve me distanca të gjata, veçanërisht drejt Floridës dhe Afrikës.
Nga fillimi i korrikut deri në fillim të shtatorit 2027, kompania do të ofrojë pesë fluturime në javë drejt Tampës, në Florida.
Megjithatë, Las Vegasi do të hiqet nga orari veror i vitit të ardhshëm. Sipas kompanisë, arsyeja është kërkesa e dobët në treg.
Edelweiss do të shtojë gjithashtu fluturimet drejt disa destinacioneve afrikane, përfshirë Kilimanxharon dhe Zanzibarin në Tanzani, Vindhukun në Namibi dhe Kejptaunin në Afrikën e Jugut.
Më shumë fluturime do të ofrohen edhe drejt Punta Canas, në Republikën Dominikane, gjatë pranverës, si dhe drejt Seychelles dhe Maldiveve.
The post SWISS dhe Edelweiss zgjerojnë ofertën e fluturimeve për sezonin veror 2027 appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



