Angazhimi për çështjet shqiptare thellohet në Kongresin amerikan

Angazhimi për çështjet shqiptare thellohet në Kongresin amerikan

Takim strategjik në Uashington: Angazhimi për çështjet shqiptare thellohet në Kongresin amerikan.
Pas një takimi me kongresisten Lisa McClain, Kryetare e Konferencës Republikane, Këshilli i Miqësisë Shqiptaro-Amerikane (AARC - Albanian American Relations Council) organizoi një sesion të zgjeruar strategjik në Uashington. Ky takim kishte si fokus forcimin dhe zgjerimin e Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin amerikan.
Sipas burimeve të takimit, kaukusi aktualisht numëron 20 anëtarë dhe po shënon një rritje, duke reflektuar një interes në rritje për çështjet shqiptare në nivel dypartiak.
Në qendër të diskutimeve ishte ndërtimi i një mbështetjeje të qëndrueshme në Kongres për disa prioritete të rëndësishme, përfshirë integrimin e Kosovës në NATO dhe angazhimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara në dialogun me Serbinë, me njohjen reciproke si objektiv përfundimtar.
Pjesëmarrësit theksuan nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, në vend të qasjes aktuale evropiane që karakterizohet nga zbatimi selektiv i elementeve të veçanta.
Gjithashtu, u diskutua për respektimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoninë e Veriut, duke u fokusuar veçanërisht në të drejtat gjuhësore dhe përfaqësimin e barabartë të shqiptarëve.
U ngritën gjithashtu shqetësime për “spastrimin etnik të vazhdueshëm” të shqiptarëve në jug të Serbisë, përmes formave të presionit administrativ dhe institucional.
Në përfundim, u arrit dakordësi për ndërmarrjen e hapave konkretë dhe të koordinuar. AARC pritet të punojë ngushtë me partnerët në Kongres për të hartuar dhe zbatuar një strategji të qartë që synon avancimin e këtyre çështjeve dhe forcimin e rolit të Shteteve të Bashkuara në rajon. (INA)

Burimi i lajmit:
Shënim: