Tarifat e Trump godasin industrinë farmaceutike gjermane
Industria farmaceutike gjermane reagoi ashpër ndaj paralajmërimeve të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave 100% mbi medikamentet. “Nëse planet zbatohen ashtu si janë njoftuar nga 1 tetori, kjo do të jetë një goditje e rëndë për Gjermaninë dhe Evropën si qendra të industrisë farmaceutike”, deklaroi shoqata e industrisë “VFA”. Sipas “VFA”, ky njoftim [...]Read More...

Industria farmaceutike gjermane reagoi ashpër ndaj paralajmërimeve të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave 100% mbi medikamentet.
“Nëse planet zbatohen ashtu si janë njoftuar nga 1 tetori, kjo do të jetë një goditje e rëndë për Gjermaninë dhe Evropën si qendra të industrisë farmaceutike”, deklaroi shoqata e industrisë “VFA”.
Sipas “VFA”, ky njoftim bie ndesh me marrëveshjet e mëparshme tregtare mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, të cilat parashikojnë një kufi tarifor prej 15%.
“Tarifat e paralajmëruara prej 100% do të kenë efekte të rënda në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit, do të rrisin kostot e prodhimit të barnave dhe rrezikojnë furnizimin e pacientëve, si në SHBA ashtu edhe në Evropë”, tha presidenti i “VFA”, Han Steutel.
SHBA-ja është tregu më i rëndësishëm për eksportet farmaceutike gjermane, që punësojnë rreth 130 000 njerëz dhe përfshijnë emra globalë si Bayer dhe Merck.
Në vitin 2024, mallra me vlerë 27 miliardë euro (rreth 31,5 miliardë dollarë), ose rreth 25% e eksporteve farmaceutike gjermane, shkuan në SHBA.
Trump ka thënë se kompanitë që investojnë në prodhimin farmaceutik në SHBA do të përjashtohen nga tarifat e paralajmëruara.
Steutel theksoi rëndësinë e gjetjes së zgjidhjeve të shpejta për Evropën dhe Gjermaninë, duke nënvizuar rëndësinë e tregut të vetëm evropian.
“Në SHBA mund të furnizosh 300 milion njerëz menjëherë.
Në Evropë janë 450 milion njerëz, por të shpërndarë në 27 tregje.
“Ne nuk po shfrytëzojmë potencialin tonë si treg i vetëm dhe kështu bëhemi një mjet në duart e zonave të mëdha ekonomike”, tha ai.