Të paktën 35 palestinezë të vrarë në Gaza: 15 nga sulmet ajrore izraelite, 20 gjatë pritjes për ndihma

Të paktën 35 palestinezë humbën jetën të premten në Gaza, sipas të dhënave nga morgu i një spitali lokal, që u raportuan për agjencinë Associated Press. Nga këta, 15 persona – përfshirë tetë gra dhe një fëmijë u vranë si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në orët e para të mëngjesit. Ndërkohë, 20 të tjerë [...]Read More...

Të paktën 35 palestinezë të vrarë në Gaza: 15 nga sulmet ajrore izraelite, 20 gjatë pritjes për ndihma

Të paktën 35 palestinezë humbën jetën të premten në Gaza, sipas të dhënave nga morgu i një spitali lokal, që u raportuan për agjencinë Associated Press. Nga këta, 15 persona – përfshirë tetë gra dhe një fëmijë u vranë si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në orët e para të mëngjesit.

Ndërkohë, 20 të tjerë u qëlluan për vdekje ndërsa prisnin për ndihma humanitare. Sipas spitalit Nasser, dy prej viktimave ndodheshin pranë pikave të shpërndarjes në Rafah, ndërsa 18 të tjerë po prisnin kamionët me ndihma në pjesë të tjera të Gazës jugore.

Kryqi i Kuq njoftoi gjithashtu se një anëtar i stafit të spitalit të tyre fushor në Rafah u plagos nga një plumb qorr, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe është nën kujdes mjekësor. Dy punonjës të tjerë të Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze u plagosën më herët po atë mëngjes gjatë kryerjes së detyrave të tyre në Rafah.

“Kjo ngjarje është e papranueshme dhe rikujton rrezikun e përditshëm që përballin civilët, stafet mjekësore dhe pacientët në Gaza,” thuhet në deklaratën e organizatës.

Në mesditën e së premtes, ushtria izraelite paralajmëroi për operacione ushtarake në disa lagje të qytetit Khan Yunis në jug të Gazës, duke kërkuar nga banorët të zhvendosen menjëherë drejt perëndimit.

Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut njoftoi se deri më 27 qershor kishte regjistruar të paktën 613 viktima në afërsi të pikave të shpërndarjes së ndihmave apo pranë autokolonave humanitare.

“Që nga ajo datë ka pasur incidente të tjera,” tha zëdhënësja Ravina Shamdasani nga Gjeneva. Sipas të dhënave të OKB-së, 509 nga viktimat ishin të vrarë pranë pikave të shpërndarjes të drejtuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF).

Ky i fundit i mohoi shifrat, duke i cilësuar si të marra “drejtpërdrejt nga Ministria e Shëndetësisë e kontrolluar nga Hamasi”, dhe akuzoi se po përdoren për të “njollosur në mënyrë të rreme” punën e tyre humanitare.

GHF ka deklaruar më herët se ka shpërndarë mbi 60 milionë vakte ushqimore për palestinezët e uritur në vetëm pesë javë “në mënyrë të sigurt dhe pa pengesa”, ndërkohë që organizata të tjera kanë raportuar grabitje masive të ndihmave.

Ndërkaq, Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) konfirmoi raste të dhunshme të grabitjeve dhe sulmeve ndaj drejtuesve të mjeteve që shpërndanin ndihma, duke i cilësuar këto veprime si të papranueshme./abcnews.al