Edhe një gjë për temën “Kush e ndali ndarjen e Maqedonisë më 2001?”

Zeqirja Ibrahimi
Përfaqësuesi politik i UÇK-së, vetëm pasi thotë se ai e shpëtoi Maqedoninë e Veriut nga ndarja për shkak e dëshironte “shtetin unitar”, vazhdon të thotë se “nuk e desha ndarjen, sepse çka bëhej pastaj me shqiptarët e Shkupit, të Kumanovës, Kërçovës, Strugës etj.?”. Kjo i bie se “po të ishte në hise edhe kjo pjesë, ndarja do të ishte e pranueshme, por meqë ato qytete mbeteshin ‘jashtë’, ndarja ishte e keqe”. Ndonëse nuk është e habitshme të dëgjohen këso kundërthënie nga personi në fjalë, kjo flet edhe për mungesë të lartë të seriozitetit për tema kaq serioze.
Nëse ke qenë kundër ndarjes, pyetja është a e ke bërë këtë për shkak se e ke dashur shtetin unitar të Maqedonisë apo për shkak të pazarit të ulët? Sepse kjo ka shumë dallim. Të jesh kundër ndarjes për shkak të parimit, sado që ai parim ishte në kundërshtim me qëndrimet fillestare të UÇK-së, ka njëfarë logjike, qoftë ajo edhe lukrative, por të jesh kundër ndarjes për shkak të hises së vogël dhe këtë ta arsyetosh me “dashurinë për Maqedoninë unitare”, i bie se këtu nuk kemi të bëjmë më me parime, por vetëm me kalkulime. Aq më keq nëse në ato kalkulime ishte edhe pushteti.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



