LVV për tërheqjen e Sejdiut: Kosova e pati marrëveshjen dhe kandidatin e përbashkët, por u bllokua

Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur keqardhje për tërheqjen e Bekim Sejdiut nga kandidatura për President të Kosovës.
Në reagimin e saj, LVV ka thënë se Sejdiu ishte kandidat i përbashkët i dalë nga marrëveshja ndërmjet Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sipas LVV-së, marrëveshja u arrit pas bisedimeve politike me qëllim që vendit t’i jepej një zgjidhje dhe që zgjedhja e Presidentit të përmbyllej në Kuvend.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! i qëndroi kësaj marrëveshjeje dhe kandidatit të përbashkët deri në fund”, thuhet në reagim.
LVV ka kritikuar 6 deputetët e LDK-së, për të cilët thotë se dolën kundër kandidaturës së miratuar edhe nga partia e tyre.
Ndërkohë, sipas Vetëvendosjes, PDK-ja dhe Aleanca u deklaruan se nuk do të merrnin pjesë në procesin e zgjedhjes së Presidentit.
“Kështu u krijuan rrethanat që e pamundësuan zgjedhjen e Presidentit në Kuvend”, thuhet në reagim.
LVV ka argumentuar se për muaj me radhë është kërkuar dialog, kompromis dhe marrëveshje, duke theksuar se dialogu u zhvillua, kompromisi u bë dhe kandidati i përbashkët u gjet.
“Kur erdhi koha që marrëveshja të merrte votën e Kuvendit, nisi pengimi dhe goditja e saj”, thuhet më tej.
Vetëvendosje ka kritikuar edhe mospjesëmarrjen në procesin e votimit, duke e cilësuar atë si pengim të procesit kushtetues.
“Kuvendi është vendi ku dallimet politike shprehen me votë. Mund të votosh për, mund të votosh kundër. Por kur mospjesëmarrja përdoret për ta pamundësuar votimin, atëherë nuk kemi më dallim politik rreth një kandidati, por pengim të vetë procesit kushtetues dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të përsëritura”, thuhet në reagim.
Në fund, LVV-ja e ka falënderuar Sejdiun për gatishmërinë për t’i shërbyer Republikës dhe për dinjitetin e treguar gjatë këtij procesi.
“Kosova e pati marrëveshjen dhe kandidatin e përbashkët. E pati mundësinë që çështja e Presidentit të zgjidhej në Kuvend. Por u bllokua, sërish”, përfundon reagimi.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



