Nga tregjet te tryeza: Sa i sigurt është ushqimi që konsumojmë në Maqedoninë e Veriut?

Pas sekuestrimit të tonelatave me produkte të pasigurta ushqimore, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari paralajmëron kontrolle më të rrepta dhe gjoba më të larta.
Siguria e ushqimit që konsumojmë është rikthyer në qendër të vëmendjes pas kontrolleve të shtuara të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV) në tregjet e gjelbra. Qëllimi i aksioneve, sipas Agjencisë, është luftimi i tregtisë ilegale me fruta dhe perime, si dhe parandalimi i shitjes së ushqimeve në kushte të papërshtatshme dhe pa origjinë të dokumentuar.
Javën e kaluar, gjatë kontrolleve në Tregun e Gjelbër në Shkup dhe në tregun e lagjes Gjorçe Petrov, u sekuestruan dhe u asgjësuan mbi pesë tonë ushqime të pasigurta. Bëhet fjalë kryesisht për fruta dhe perime që shiteshin ilegalisht jashtë hapësirave të organizuara të tregjeve, duke rrezikuar sigurinë e konsumatorëve dhe duke dëmtuar konkurrencën në raport me prodhuesit bujqësorë dhe tregtarët që veprojnë në përputhje me ligjin.
Megjithatë, këto sekuestrime janë vetëm një pjesë e situatës së përgjithshme. Sipas të dhënave të AUV-së, nga janari deri në gusht të këtij viti janë kryer afro 75.000 kontrolle inspektuese, gjatë të cilave nga qarkullimi janë tërhequr mbi 200 tonë ushqime të pasigurta. Prej tyre, afro 70 tonë janë asgjësuar në tregun e brendshëm dhe gjatë importit, ndërsa mbi 122 tonë produkte me origjinë shtazore janë kthyer në vendet e origjinës.
Gjatë periudhës së fundit janë zbuluar edhe disa raste të produkteve të pasigurta të destinuara për import. Vitin e kaluar u parandalua importi i mbi 26 tonëve mish të ngrirë të kofshëve të pulës nga Brazili, për shkak të shfaqjes së gripit të shpendëve në vendin e origjinës.
Ndërkaq, javën e kaluar, inspektorët e AUV-së në pikën kufitare Bllacë ndaluan importin e dy dërgesave me qumësht UHT nga Kosova, me peshë të përgjithshme prej 27.520 kilogramësh, për shkak të pranisë së aflatoksinës mbi kufijtë e lejuar. Sasitë, të cilat ishin destinuar për shitje në zinxhirët e marketeve në vend, u asgjësuan në deponinë Drislla nën mbikëqyrjen e veterinerit zyrtar.
Ushqime të pasigurta zbulohen edhe në tregun e brendshëm. Gjatë një aksioni të jashtëzakonshëm në Tregun e Gjelbër në Çento u sekuestruan rreth dy tonë ushqime për shkak të kushteve të papërshtatshme të ruajtjes dhe trajtimit. Ndërsa kontrollet e fundit në Shkup rezultuan me sekuestrimin e disa tonelatave të tjera produkte, të cilat shiteshin jashtë hapësirave të përcaktuara me ligj.
Dërgesa të kthyera dhe rezultate të ndryshme të analizave
Kontrollet nuk kufizohen vetëm te produktet e importuara. Gjatë periudhës së fundit, disa dërgesa maqedonase me fruta dhe perime janë kthyer nga vendet e rajonit për shkak të dyshimeve për përmbajtje të shtuar të pesticideve.
Bëhet fjalë për dërgesa me speca dhe rrush tavoline të kthyera nga Bullgaria dhe Mali i Zi, si dhe për raste të raportuara nga Kroacia përmes sistemit evropian të alarmit të shpejtë.
Sipas institucioneve vendore, analizat e kryera në laboratorët e vendit për disa prej këtyre dërgesave kanë treguar mungesë të mbetjeve të pesticideve. Ndërkaq, dërgesa me speca të varietetit „Kurtovska kapija“, e kthyer nga Kroacia, u asgjësua.
Kontrollet në sektorin ushqimor kanë rezultuar edhe me sekuestrime në mishtore. Gjatë inspektimeve të jashtëzakonshme në Strugë dhe Ohër u sekuestruan dhe u asgjësuan 1.000 kilogramë lukthi pule, produkt importi dhe përdorimi i të cilit janë të ndaluara, si dhe 55 kilogramë produkte të përgatitura nga mishi, në të cilat ishte përdorur ky produkt.
Për dy mishtore janë iniciuar procedura kundërvajtëse për mosrespektimin e ndalimit.
AUV-ja ka paralajmëruar se kontrollet e shtuara do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, në disa lokacione në Shkup dhe në qytete të tjera të vendit. Sipas Agjencisë, qëllimi është mbrojtja e shëndetit të konsumatorëve, parandalimi i qarkullimit të ushqimeve të pasigurta dhe krijimi i kushteve të drejta për tregtarët që veprojnë ligjërisht dhe për prodhuesit bujqësorë.
A duhet të rriten gjobat?
Drejtori i AUV-së, Oliver Milanov, deklaroi ditëve të fundit, me rastin e Ditës Botërore të Ushqimit, se qytetarët e Maqedonisë konsumojnë ushqime të sigurta, por vlerësoi se gjobat për operatorët që nuk respektojnë rregullat janë të ulëta dhe duhet të rriten.
Autoritetet u bëjnë thirrje konsumatorëve të tregojnë kujdes gjatë blerjes së ushqimeve dhe të kontrollojnë afatin e përdorimit, informacionet ushqyese, si dhe karakteristikat shqisore të produkteve, si pamja, aroma dhe shija, kur është e përshtatshme.
Gjatë dy viteve të fundit janë kthyer mbi 650 tonë ushqime të importuara. Autoritetet theksojnë se siguria ushqimore mbetet një ndër prioritetet kryesore.
Më shumë kontrolle, por edhe shqetësime për hedhjen e ushqimit
Siguria ushqimore është thelbësore për shëndetin e qytetarëve, besimin e konsumatorëve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit ushqimor.
Për të garantuar sigurinë e ushqimit, rekomandohet respektimi i pesë parimeve themelore: ruajtja e higjienës, ndarja e ushqimeve të papërpunuara nga ato të përgatitura, përpunimi i plotë termik, ruajtja në temperatura të përshtatshme dhe përdorimi i ujit të sigurt dhe lëndëve të para të kontrolluara.
Sipas të dhënave të Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), çdo banor në Maqedoninë e Veriut hedh mesatarisht 86 kilogramë ushqim në vit, që është 17 kilogramë më shumë se mesatarja e Bashkimit Evropian.
Nga organizata „Banka e Ushqimit“ theksojnë se në Maqedoninë e Veriut hidhen çdo vit mbi 10.000 tonë ushqime. Një pjesë e konsiderueshme e këtij shpërdorimi vjen si pasojë e blerjeve të tepërta dhe planifikimit të pamjaftueshëm të vakteve.
Sipas vlerësimeve të organizatës, sasi të mëdha ushqimi mund të orientohen drejt donacioneve për personat në nevojë, në vend që të përfundojnë si mbeturina.(DW)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



