Trump: Marrëveshja për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit mund të arrihet sonte

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se një marrëveshje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit mund të arrihet që të mërkurën ose një ditë më vonë, ndërsa Irani dhe Omani po i afrohen një marrëveshjeje për këtë korridor detar strategjik.
“Është bërë shumë përparim”, u tha Trump gazetarëve gjatë një vizite në Kaliforni, raporton AP, transmeton KosovaPress.
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë, pasi përmes saj kalonte rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror global. Ndërprerja e lundrimit ka ndikuar në rritjen e çmimeve të karburanteve dhe mallrave në tregjet ndërkombëtare.
Sipas dy zyrtarëve rajonalë që folën për Associated Press në kushte anonimiteti, negociatorët iranianë dhe ata të Omanit kanë përfunduar draftin e marrëveshjes dhe tani pritet miratimi përfundimtar nga lideri suprem i Iranit.
Burimet thanë se marrëveshja do të shërbejë si një zgjidhje e përkohshme për mosmarrëveshjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit lidhur me kalimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit dhe pritet të krijojë kushtet për rifillimin e bisedimeve mbi programin bërthamor të Teheranit.
Sipas të njëjtave burime, anijet do të hynin në Gjirin Persik përmes një korridori të kontrolluar nga Irani dhe do të dilnin përmes një rruge të kontrolluar nga Omani, ndërsa do të paguanin tarifa për shërbimet e sigurisë dhe mbrojtjes së mjedisit detar.
Omani nuk ka komentuar zyrtarisht në lidhje me këto raportime.
Ndërkaq, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, deklaroi se marrëveshja me Omanin ndodhet në “fazën përfundimtare” të hartimit dhe se një deklaratë e përbashkët do të publikohet “nëse palë të caktuara nuk e pengojnë këtë proces”, duke lënë të kuptohet se i referohej Shteteve të Bashkuara.
SHBA dhe Irani ndodhen në një “gjendje lufte” që nga 28 shkurti kur e para, në bashkë koordinim me Izraelin, sulmoi të dytën, për disa ditë me radhë, duke i shkaktuar dëme të mëdha në ushtri dhe infrastrukturë dhe duke ia vrarë liderët kryesore, përfshirë udhëheqësin super Ajatollahun Ali Khamenei.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



