Trump përballet me kundërshtime/ Sulmi ndaj Iranit, republikanët kundër vendimit të presidentit

Planet për një ndërhyrje ushtarake amerikane kundër Iranit kanë nxjerrë në pah një ndarje të thellë brenda koalicionit të mbështetësve që e sollën Donald Trumpin në pushtet. Disa prej figurave më të rëndësishme të krahut të djathtë, përfshirë aleatin e ngushtë Steve Bannon, i kanë bërë thirrje presidentit që të shmangë përfshirjen e Shteteve të [...]Read More...

Trump përballet me kundërshtime/ Sulmi ndaj Iranit, republikanët kundër vendimit të presidentit

Planet për një ndërhyrje ushtarake amerikane kundër Iranit kanë nxjerrë në pah një ndarje të thellë brenda koalicionit të mbështetësve që e sollën Donald Trumpin në pushtet. Disa prej figurave më të rëndësishme të krahut të djathtë, përfshirë aleatin e ngushtë Steve Bannon, i kanë bërë thirrje presidentit që të shmangë përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në një tjetër luftë në Lindjen e Mesme.

Bannon, ish-këshilltari i lartë i Trumpit dhe një nga zërat më të fuqishëm të lëvizjes “America First”, deklaroi të mërkurën gjatë një aktiviteti të organizuar nga Christian Science Monitor në Uashington: “Nuk mund ta bëjmë këtë sërish. Do ta copëtojmë vendin. Nuk mund të kemi një tjetër Irak.”

Ky mesazh pasqyron shqetësimin në rritje të një pjese  të Partisë Republikane, e cila është tronditur nga kalimi i shpejtë i presidentit Trump nga kërkimi i një zgjidhjeje diplomatike me Iranin, në konsiderimin e mbështetjes për fushatën ushtarake të Izraelit, përfshirë edhe përdorimin e bombave shkatërruese të tipit “bunker buster” me peshë 13,600 kg.

Kjo përçarje brenda bazës “Make America Great Again” (MAGA) që i dha Trumpit fitoren në zgjedhjet e 2016 dhe 2024, përbën një sfidë politike për presidentin, veçanërisht nëse ajo ndikon në mbështetjen elektorale për republikanët në zgjedhjet afatmesme të vitit 2026.

I pyetur për përçarjen, Trump u shfaq i sigurt: “Mbështetësit e mi më duan më shumë sot, dhe unë i dua më shumë se në kohën e zgjedhjeve. Unë dua vetëm një gjë: Irani nuk mund të ketë armë bërthamore,” tha ai nga Shtëpia e Bardhë.

“Disa janë pak të pakënaqur, por të tjerë janë dakord me mua se Irani nuk duhet të bëhet fuqi bërthamore. Nuk po kërkoj luftë, por nëse zgjedhja është midis luftës dhe një Irani me armë bërthamore, atëherë duhet të bësh atë që duhet bërë,” shtoi ai.

Ndërkohë, figura të tjera të rëndësishme nga koalicioni MAGA si Tucker Carlson dhe përfaqësuesja Marjorie Taylor Greene  (Marxh-ëri)kanë shfaqur rezerva të forta për çdo përfshirje ushtarake të SHBA-së.

Greene shkroi në rrjetet sociale: “Kushdo që kërkon që SHBA të përfshihet në luftën Izrael-Iran nuk është ‘America First’. Jemi lodhur nga luftërat e huaja. Të gjitha.”

Nga ana tjetër, senatorë si Lindsey Graham kanë kërkuar që SHBA të ndihmojë Izraelin të “mbarojë punën”, duke e cilësuar Iranin si një kërcënim ekzistencial për aleatin izraelit.

Përplasja mes palëve u bë më e dukshme kur Carlson dhe senatori Ted Cruz debatuan ashpër në një intervistë të transmetuar të martën vonë. Carlson e akuzoi Cruz se po kërkonte rrëzimin e regjimit iranian, ndërsa ky i fundit mbrojti qasjen e presidentit.

Në përpjekje për të qetësuar situatën, nënpresidenti JD Vance shkroi: “Njerëzit kanë të drejtë të shqetësohen për përfshirjet jashtë vendit pas 25 viteve të një politike të jashtme katastrofike. Por mendoj se presidenti e ka fituar besimin në këtë çështje.”

Ndërsa tensionet rriten, Trump ka deklaruar se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar. “Kam disa ide se si do të veproj,” tha ai të mërkurën pasdite. “Por vendimi nuk është marrë ende.”

/ abcnews.al