“Trump po i vë ‘fre’ Izraelit, Irani në disavantazh”, Krisafi për armëpushimin: Është herët të thuash që lufta ka mbaruar
Eksperti për çështjet ndërkombëtare, Ledion Krisafi, në një intervistë për emisionin “News Line” në ABC News, ka komentuar zhvillimet më të fundit në konfliktin Izrael-Iran, duke analizuar situatën pas shpalljes së armëpushimit. Sipas tij, ndonëse zyrtarisht palët kanë rënë dakord për ndërprerjen e luftimeve, ka sinjale për shkelje të marrëveshjes, përfshirë një raketë balistike të [...]Read More...

Eksperti për çështjet ndërkombëtare, Ledion Krisafi, në një intervistë për emisionin “News Line” në ABC News, ka komentuar zhvillimet më të fundit në konfliktin Izrael-Iran, duke analizuar situatën pas shpalljes së armëpushimit. Sipas tij, ndonëse zyrtarisht palët kanë rënë dakord për ndërprerjen e luftimeve, ka sinjale për shkelje të marrëveshjes, përfshirë një raketë balistike të mundshme nga ana e Iranit, ende e pakonfirmuar.
Krisafi thekson se ndërhyrja e SHBA-ve, dhe veçanërisht reagimi i Donald Trump, synon të ushtrojë presion mbi Izraelin për të shmangur një përshkallëzim të ri. Ai nënvizon se Izraeli ka përmbushur objektivat strategjike dhe mban tani përgjegjësinë kryesore për ruajtjen e armëpushimit, ndërsa Irani ndodhet në një pozitë të dobësuar ushtarakisht. Në këtë kontekst, Krisafi nuk përjashton mundësinë që Irani të ripërcaktojë rolin e tij në rajon, duke u shndërruar në një aktor të ngjashëm me Hezbollah, por në përmasa shtetërore.
“Duket se ka pasur një thyerje të armëpushimit nga ana e Iranit, ka pasur një raketë balistike në orët e para të mëngjesit, por deri më tani nuk ka asgjë të konfirmuar. Trump me reagimin e tij i bën edhe thirrje Izraelit për të mos sulmuar. Sulmi i SHBA-ve nuk ishte për ndryshimin e regjimit. Izraeli i ka plotësuar objektivat, nuk ka më kuptim që të vazhdohet lufta. Në raste të tilla ndodh që armëpushimet nuk mbyllen 100%, janë raste që ndodhin, palët ngacmojnë njëra-tjetrën.
Izraeli është ai që ka kontroll në hapësirën ajrore të Iranit, kështu që Izraeli ka një përgjegjësi më të madhe për armëpushimet. Tani është momenti që palët të ulen në tavolinë, dhe palët janë SHBA dhe Iran, dhe jo Izrael. Trump po i vë fre Izraelit, që të mos sulmojë. Izraeli dhe SHBA kanë një nivel tjetër komunikimi, fakti që del në Trouth Social, do të thotë që i ngarkon Izraelit më shumë përgjegjësi. Nëse arrihet një marrëveshje do të ketë një kufizim për Iranin, për raketat balistike.
Negociatat nuk do të jenë shumë të lehta, sepse kushtet për Iranin janë shumë të mëdha. Në 12 ditë luftë Irani është dërrmuar. Por, nuk e përjashtoj mundësinë që Irani të kthehet në një ‘Hezbollah’ gjigant. Në këtë pjesë Irani është ai që është në disavantazh sepse i është shkatërruar një arsenal, i madh ushtarak. Është e vështirë që të thuash se lufta ka mbaruar, sepse koha ka treguar se në konfliktet në Lindjen e Mesme, nuk mbyllen lehtë”, tha Ledion Krisafi./abcnews.al