Trump shënjestron median ABC dhe NBC/ ‘Revokim të licensave të tyre, kërcënim real i demokracisë’

Presidenti amerikan Donald Trump ka rinisur sulmet ndaj mediave, duke kërkuar këtë herë revokimin e licencave për dy rrjetet kryesore televizive, ABC dhe NBC, të cilat ai i akuzon për një mbulim të njëanshëm dhe “të rremë” të lajmeve. Përmes një postimi në platformën Truth, Trump shkruan se këto rrjete përbëjnë një “kërcënim real për [...]Read More...

Trump shënjestron median ABC dhe NBC/ ‘Revokim të licensave të tyre, kërcënim real i demokracisë’

Presidenti amerikan Donald Trump ka rinisur sulmet ndaj mediave, duke kërkuar këtë herë revokimin e licencave për dy rrjetet kryesore televizive, ABC dhe NBC, të cilat ai i akuzon për një mbulim të njëanshëm dhe “të rremë” të lajmeve. Përmes një postimi në platformën Truth, Trump shkruan se këto rrjete përbëjnë një “kërcënim real për demokracinë” dhe se përmbajtja e tyre është propagandë e pastër në shërbim të Partisë Demokrate.

Ai pretendon se 97% e raportimeve për të janë negative, sipas tij dhe të mbështetësve konservatorë, si Media Research Center. Trump thekson gjithashtu se rrjetet televizive “nuk paguajnë sa duhet për licencat” dhe kërkon që ato të humbasin privilegjin e transmetimit ose të paguajnë më shumë për të përdorur “valët e arta” të frekuencave.

Megjithatë, ligjërisht rrjetet kombëtare si ABC dhe NBC nuk licencohen drejtpërdrejt nga FCC për përmbajtje gazetareske – janë stacionet lokale që kanë licenca dhe që paguajnë taksat përkatëse. Çdo përpjekje për t’i revokuar bazuar në përmbajtje lajmesh do të binte ndesh me Amendamentin e Parë të Kushtetutës, që garanton lirinë e shtypit.

Pavarësisht kësaj, kjo nuk është hera e parë që Trump bën kërcënime të tilla. Vitin e kaluar ai arriti një marrëveshje prej 15 milionë dollarësh me ABC për shpifje, ndërsa rrjetet Paramount dhe CBS kanë pranuar pagesa kompensimi për çështje që lidhen me ndërhyrje elektorale.

Strategjia e tij për të goditur mediat është pjesë e një lëvizjeje më të gjerë që përfshin edhe ndërhyrje në ekonomi. Kompani si Nvidia, AMD dhe Intel janë detyruar të dorëzojnë pjesë të të ardhurave ose kapitalit tek Thesari amerikan, pas presionit të administratës për lidhjet e tyre tregtare me Kinën, sidomos në sektorin e çipeve për inteligjencë artificiale.

Një zyrtar i NBC, që foli për La Stampa në kushte anonimiteti, e quajti deklaratën e Trump “thjesht retorikë”, ndërsa ekspertët ligjorë theksojnë se ideja për të ndëshkuar median për përmbajtjen që transmeton është jo vetëm jokushtetuese, por edhe e paprecedentë në një demokraci perëndimore. / abcnews.al /