Trump telefonoi Netanyahun pas sulmit izraelit në kishën e Gazës
Shtëpia e Bardhë tha të enjten se presidenti i ShBA-së, Donald Trump, i telefonoi kryeministrit izraelit, Benyamin Netanyahu, për të diskutuar sulmin vdekjeprurës izraelit ndaj Kishës së vetme Katolike të Gazës, duke shtuar se Trump nuk reagoi pozitivisht ndaj incidentit. Një sulm izraelit ndaj kishës vrau tre persona dhe plagosi disa të tjerë, tha të

Shtëpia e Bardhë tha të enjten se presidenti i ShBA-së, Donald Trump, i telefonoi kryeministrit izraelit, Benyamin Netanyahu, për të diskutuar sulmin vdekjeprurës izraelit ndaj Kishës së vetme Katolike të Gazës, duke shtuar se Trump nuk reagoi pozitivisht ndaj incidentit.
Një sulm izraelit ndaj kishës vrau tre persona dhe plagosi disa të tjerë, tha të enjten Patriarkana Latine e Jerusalemit, e cila mbikëqyr famullinë e vogël.
Patriarkana dënoi “këtë shënjestërim të civilëve të pafajshëm dhe të një vendi të shenjtë”, duke thënë se dy gra dhe një burrë u vranë në sulmin ndaj Kishës së Familjes së Shenjtë.
Shtëpia e Bardhë u pyet në një konferencë për shtyp në lidhje me reagimin e Trump ndaj sulmit izraelit ndaj kishës.
“Nuk ishte një reagim pozitiv. Ai e telefonoi kryeministrin Netanyahu këtë mëngjes për të diskutuar sulmet ndaj asaj kishe në Gaza”, u tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë gazetarëve.
“Dhe unë e kuptoj që kryeministri pranoi të nxirrte një deklaratë. Ishte një gabim nga izraelitët që goditën atë Kishë Katolike. Kjo është ajo që kryeministri ia përcolli presidentit”, shtoi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.
Ushtria izraelite tha se po hetonte incidentin. Ministria e Jashtme e Izraelit tha se rezultatet e hetimit do të publikohen. Netanyahu tha se Izraeli “ndjen keqardhje të thellë që një municion i humbur goditi Kishën e Familjes së Shenjtë në Gaza”.
Forcat izraelite vranë të paktën 27 persona në sulme në Rripin e Gazës të enjten, përfshirë tre të vrarët në sulmin ndaj kishës, sipas mjekëve dhe zyrtarëve të kishës, shkruan Reuters.