Tubim paqësor në Nju Jork: “Liri për çlirimtarët” para vendimit të Hagës

Tubim paqësor në Nju Jork: “Liri për çlirimtarët” para vendimit të Hagës

Beqir Sina/INA

Sheshi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu Way” në Bronx të Nju Jorkut u mbush me flamuj amerikanë, shqiptarë dhe të Kosovës.

Komuniteti shqiptar i zonës së Tri-Shtetit u mblodh në një tubim paqësor për të kërkuar liri, drejtësi dhe dinjitet për katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, përpara vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë.

Aktiviteti ishte pjesë e Ditës Ndërkombëtare të Veprimit, i zhvilluar paralelisht me manifestime në Evropë, Kanada dhe Australi. Manifestimi u organizua nga prefekti i Qarkut të Tiranës, Shkëlqim Hajdari, ish-këshilltari i Qytetit të Nju Jorkut Mark Gjonaj, Batalioni “Atlantiku” dhe Shoqata e Veteranëve të UÇK-së.

Shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe komuniteti çam mbushën sheshin, ku dominonin banderolat me portretet e katër liderëve dhe sllogani “Liri për çlirimtarët / Stand with our KLA leaders”. Po ashtu, një ekran hiqte mbrapsht ditët e aktivitetit “Ora e Pritjes”, organizuar nga platforma “Liria ka Emër” në Prishtinë.

Pasi u intonuan himnet kombëtare të SHBA-së, Shqipërisë dhe Kosovës, pjesëmarrësit mbajtën një minutë heshtje për viktimat e 11 Shtatorit dhe të rënët e luftës në Kosovë.

Moderatorja e aktivitetit, Djellza Pulatani – bijë e një ish-luftëtari të UÇK-së – theksoi se liria u arrit nga i gjithë populli i Kosovës. Ajo denoncoi mbajtjen prej pothuajse gjashtë vitesh në paraburgim të katër liderëve, duke e akuzuar Gjykatën e Hagës për rishkrim të historisë dhe gjykim mbi linja etnike.

Në fjalën e tij, prefekti i Qarkut të Tiranës, Shkëlqim Hajdari, përcolli përshëndetjet nga Shqipëria dhe nërmend protestën e 17 tetorit 2025, duke nëvizuar se shqiptarët nuk kërkojnë mëshirë apo favore, por vetëm drejtësi.

Gjatë tubimit folën edhe figura të tjera të njohura të komunitetit dhe luftës çlirimtare:

Gani Shehu, ish-komandant i Batalionit “Atlantiku”, u bëri thirrje pjesëmarrësve të mbrojnë të vërtetën e luftës çlirimtare dhe të mos lejohet tjetërsimi i saj nga agresori.

Zana Mezini, gazetare dhe ish-luftëtare e UÇK-së në moshën 18-vjeçare, vuri në pah rolin e grave në qëndresë dhe kërkoi që e vërteta e atyre ditëve të mbetet e paprekur.

Shefki Mexhuani, ish-drejtues i Fondit “Vendlindja Thërret”, rikujtoi sakrificën e diasporës dhe theksoi se ata që ndihmuan çlirimin nuk mund të pranojnë sot traktimin e çlirimtarëve si të akuzuar politikë.

Bleron Baraliu, analist, e quajti procesin një lojë të rrezikshme me paqen në rajon, duke paralajmëruar se përpjekjet për kriminalizimin e lirisë rrezikojnë të ardhmen e rajonit.

Uk Lushi, ish-ushtar i Batalionit “Atlantiku”, deklaroi se prokuroria ka dështuar të sjellë prova të qëndrueshme dhe se mbështetja mbi dokumente serbe dëmton seriozitetin juridik. Ai shprehu bindjen se katër liderët e kanë fituar tashmë betejën morale dhe duhet të kthehen të lirë në Prishtinë.

Mesazhi i qartë që përcolli diaspora nga Bronx-i ishte i njëjtë me atë të shqiptarëve kudo në botë: Liri, Drejtësi dhe Dinjitet.(INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.