Ushtarët në Kosovë mund të zëvendësohen, po Amerika?

Për më shumë se dy dekada, prania e ushtarëve amerikanë në Kosovë ka qenë jo vetëm pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s, por edhe një nga garancitë kryesore të sigurisë së vendit.
Tani, ndërsa Shtetet e Bashkuara rishikojnë angazhimin e tyre ushtarak në Evropë dhe kërkojnë që aleatët evropianë të marrin përgjegjësi më të mëdha për mbrojtjen e kontinentit, pyetjet për të ardhmen e kësaj pranie kanë marrë një rëndësi të re.
Në qendër të ndryshimeve është koncepti NATO 3.0, i cili synon një ndarje të re të përgjegjësive mes dy anëve të Atlantikut.
Kosova nuk është jashtë këtyre zhvillimeve.
Misioni i NATO-s, KFOR, i pranishëm në vend që nga përfundimi i luftës më 1999, ka nisur një proces riorganizimi. Nga mijëra ushtarë amerikanë që shërbenin në Kosovë pas luftës, sot kanë mbetur më pak se 600.
Nuk ka ndonjë vendim të konfirmuar për zvogëlimin e mëtejshëm të tyre.
Megjithatë, ndryshimet në strukturën e forcave amerikane dhe planet për riorganizimin e KFOR-it kanë hapur diskutimin nëse roli i SHBA-së në sigurinë e Kosovës mund të ndryshojë.
Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e ardhmja e pranisë amerikane duhet të mbështetet në një angazhim të qëndrueshëm ushtarak. Ai ka kërkuar që kampi Bondsteel të shndërrohet në bazë të përhershme të SHBA-së.
“Një prezencë e tillë do të shërbente si garantuese për paqe dhe siguri në Kosovë dhe rajon dhe si një bazë strategjike për operacionet e NATO-s në Evropën Juglindore”, ka thënë Kurti.
Një ndryshim në Bondsteel, shumë pikëpyetje
Më 12 tetor, në kampin Bondsteel ndodhi një ndryshim në strukturën komanduese të forcave amerikane në Kosovë.
Për herë të parë pas më shumë se një dekade, njësitë aktive të Ushtrisë amerikane morën nga Garda Kombëtare e Floridës drejtimin e Komandës Rajonale Lindje të KFOR-it.
Ndryshimi mund të duket teknik, por ndodhi në një kohë kur Uashingtoni po bën rishikimin e pranisë së tij ushtarake në Evropë.
Pjesëtarët e Gardës Kombëtare zakonisht shërbejnë me kohë të pjesshme jashtë periudhave të mobilizimit, ndërsa njësitë aktive përbëhen nga ushtarë me shërbim të plotë.
Një ushtar amerikan, pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s, duke ecur në Kampin Bondsteel, në Sojevë, Kosovo, më 22 tetor 2025.
Një ushtar amerikan, pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s, duke ecur në Kampin Bondsteel, në Sojevë, Kosovo, më 22 tetor 2025.
Ushtria amerikane e arsyetoi rotacionin me disponueshmërinë e forcave dhe nevojat e misionit. Por, nuk sqaroi nëse ky ndryshim shoqërohet edhe me ndryshime në numrin e trupave, kapacitetet apo përgjegjësitë e tyre në Kosovë.
Radio Evropa e Lirë kërkoi sqarime nga Departamenti amerikan i Luftës për natyrën e rotacionit dhe planet e mundshme për praninë amerikane në Kosovë gjatë viteve 2026 dhe 2027, por nuk mori përgjigje.
Sinjalet për ndryshime, megjithatë, kanë ardhur disa muaj më herët.
Në qershor, Komanda Evropiane e SHBA-së ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se kontributi amerikan në KFOR do t’u nënshtrohej përshtatjeve graduale, në përputhje me një rishikim të udhëhequr nga strukturat ushtarake të NATO-s.
As atëherë nuk janë dhënë hollësi për natyrën apo përmasat e ndryshimeve.
Tani, NATO-ja konfirmon se riorganizimi i KFOR-it është në proces.
Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, një zyrtar i Aleancës e lidh atë me kalimin drejt konceptit NATO 3.0.
“Ndërsa Aleanca po kalon drejt konceptit NATO 3.0, procesi i riorganizimit të KFOR-it do të mundësojë ruajtjen e të njëjtit efekt strategjik, me përdorim më efikas të burimeve dhe nën udhëheqjen e vazhdueshme evropiane”, thuhet në përgjigje.
NATO-ja thekson se mandati i KFOR-it, i përcaktuar nga Kombet e Bashkuara, mbetet i pandryshuar, ashtu si edhe angazhimi për sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Por, nuk sqaron nëse rotacioni amerikan në Bondsteel është pjesë e këtij riorganizimi.
Përgjigje nuk dhanë as Qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, të cilave Radio Evropa e Lirë u kërkoi të sqaronin nëse janë informuar për ndryshime të mundshme në kontingjentin amerikan dhe nëse kanë marrë garanci për vazhdimësinë e pranisë së SHBA-së në KFOR.
Nga Uashingtoni, një ndarje e re e përgjegjësive
Ajo që ndodh në Kosovë është vetëm një pjesë e një rishikimi shumë më të gjerë të rolit ushtarak amerikan në Evropë.
Për dekada, Shtetet e Bashkuara kanë siguruar një pjesë të madhe të forcave, pajisjeve dhe kapaciteteve nga të cilat varet mbrojtja e kontinentit.
Por, administrata amerikane kërkon që kjo barrë të ndahet ndryshe.
Në shkurt, zyrtari i lartë i Pentagonit, Elbridge Colby, paraqiti vizionin e NATO 3.0: Evropa të marrë përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen konvencionale të kontinentit, ndërsa SHBA-ja të mbetet pjesë e Aleancës, por me një rol të ripërcaktuar.
Katër muaj më vonë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, paralajmëroi një rishikim të dislokimit të forcave amerikane në Evropë.
“Për ta realizuar këtë, Departamenti i Luftës do të shqyrtojë, gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, dislokimin e forcave amerikane dhe bazat e tyre ushtarake në Evropë”, deklaroi Hegseth më 18 qershor.
Rishikimi nuk ka të bëjë vetëm me numrin e ushtarëve që SHBA-ja mund të mbajë në kontinent.
Sipas një analize të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), të publikuar në gusht, ai përfshin edhe vendndodhjen e forcave dhe kapacitetet ushtarake që Uashingtoni do të vazhdojë t’ia ofrojë NATO-s.
Radio Evropa e Lirë mëson nga burimet e saj se rezultatet e këtij procesi mund të bëhen publike rreth fundit të nëntorit.
Ato mund të ofrojnë më shumë qartësi edhe për planet e Pentagonit në Kosovë.
Jim Townsend, ish-zëvendës i ndihmësit të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, pret që kontingjenti amerikan në Kosovë të jetë pjesë e rishikimit.
Sipas tij, vendimet për KFOR-in nuk do të merren të shkëputura nga prioritetet e tjera ushtarake të SHBA-së.
“Cilido qoftë vendimi i Aleancës, kontributi amerikan do të përcaktohet në përputhje me të. Sepse, kur NATO-ja rishikon dislokimin e forcave të saj, siç është rasti me KFOR-in, vendet anëtare mund të bien dakord për një drejtim të caktuar. Pastaj, përcaktojnë se çfarë lloje forcash nevojiten për ta realizuar atë”, thotë Townsend për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Ndryshimet në ndarjen e përgjegjësive mes SHBA-së dhe Evropës nuk janë të reja. Ato kanë ndodhur vazhdimisht që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.
Por, Townsend sheh një dallim të rëndësishëm këtë herë: trysnia amerikane ndaj aleatëve evropianë mund t’i bëjë ndryshimet “më të shpejta” dhe “më të mëdha”.
Evropa mund të ketë më shumë përgjegjësi, por a ka kapacitete?
Marrja e përgjegjësive më të mëdha nga Evropa nuk nënkupton vetëm shtimin e numrit të ushtarëve.
Për dekada, operacionet e NATO-s janë mbështetur në kapacitete amerikane që shumë vende evropiane nuk i zotërojnë në të njëjtën masë.
Mes tyre janë: inteligjenca dhe vëzhgimi, transporti strategjik, furnizimi i avionëve me karburant gjatë fluturimit, mbrojtja ajrore dhe sistemet e goditjes në distanca të gjata.
Disa prej këtyre kapaciteteve mund të zhvendosen ose të reduktohen, në përputhje me prioritetet e reja amerikane.
Townsend thotë se aleatët evropianë po shqyrtojnë mënyrat për t’i kompensuar ndryshimet e mundshme, por paralajmëron se pajisjet, personeli i specializuar dhe aftësitë për operacione të përbashkëta nuk sigurohen brenda një kohe të shkurtër.
“Ushtria amerikane ka më shumë kapacitete dhe pajisje ushtarake sesa ushtritë evropiane. Edhe kur evropianët kanë pajisje të ngjashme, ato i kanë në numër më të vogël. Plotësimi i këtyre mangësive kërkon kohë”, thotë ai.
Megjithatë, sfidat e mbrojtjes së përgjithshme të Evropës nuk janë domosdoshmërisht të njëjta me ato të misionit të NATO-s në Kosovë.
KFOR-i nuk është forcë e dislokuar për mbrojtje konvencionale të territorit të NATO-s, por mision paqeruajtës, me mandat për të kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes.
Rëndësia e tij u dëshmua edhe gjatë tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, përfshirë përplasjet e vitit 2023, kur u plagosën edhe pjesëtarë të KFOR-it.
Në strukturën aktuale të sigurisë, Policia e Kosovës është reaguesja e parë, EULEX-i i dyti dhe KFOR-i i treti.
Misioni ka edhe forca rezervë që mund të dislokohen në rast të përkeqësimit të situatës.
Për më tepër, pjesa më e madhe e trupave të KFOR-it vjen tashmë nga vendet evropiane dhe misioni drejtohet nga një komandant evropian.
Një analizë e Qendrës Ndërkombëtare për Mbrojtje dhe Siguri (ICDS), e publikuar në shtator, vlerëson se evropianët mund t’i zëvendësojnë kapacitetet amerikane në KFOR më lehtë sesa ato që SHBA-ja ofron për mbrojtjen e përgjithshme të Evropës.
Por, kjo është vetëm njëra anë e çështjes.
Jo vetëm sa ushtarë, por çfarë përfaqësojnë ata
Edhe nëse vendet evropiane arrijnë të zëvendësojnë një pjesë të kontingjentit amerikan, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se efekti i pranisë së KFOR-it do të mbetet i njëjtë.
Për ekspertët, pesha e ushtarëve amerikanë në Kosovë nuk lidhet vetëm me kapacitetet e tyre ushtarake, por edhe me mesazhin politik dhe strategjik që përcjell prania e SHBA-së.
Michael O’Hanlon, ekspert i mbrojtjes në Institutin Brookings në Uashington, nuk sheh ndonjë pengesë të madhe që evropianët t’i kompensojnë kapacitetet luftarake amerikane në Kosovë.
Shqetësimi i tij është tjetër: çfarë mesazhi do të dërgonte një zvogëlim i madh, apo largim i plotë, i forcave amerikane?
“Nuk jam aq i shqetësuar për kapacitetet luftarake. Për mua, rëndësi ka që në Kosovë të mbetet një numër i caktuar ushtarësh amerikanë. Ndoshta disa qindra do të mjaftonin për të ruajtur angazhimin dhe praninë e SHBA-së, dhe për të siguruar që Serbia nuk e krijon përshtypjen se Shtetet e Bashkuara e kanë humbur interesimin për Kosovën”, thotë O’Hanlon për Exposenë.
Edhe analiza e ICDS-së paralajmëron se një tërheqje amerikane mund të ketë pasoja politike.
Sipas saj, një zhvillim i tillë mund të ndikojë në llogaritjet e forcave nacionaliste serbe në Kosovë, ndërsa Rusia mund ta interpretojë si zhvillim në favor të interesave të saj.
Për kolonelin e pensionuar amerikan, Ray Wojcik, nga Qendra Ndërkombëtare për Mbrojtje dhe Siguri, çështja shkon përtej Kosovës.
Ai vlerëson se përqendrimi më i madh i SHBA-së në rajonin e Paqësorit nuk duhet të bëhet në kurriz të pranisë amerikane në Evropë.
“Udhëheqja evropiane nuk duhet të nënkuptojë mungesën e Amerikës. Ky do të ishte gabim. Nëse i zvogëlojmë ndjeshëm forcat në Evropë, përfshirë Ballkanin, për t’u përqendruar në Paqësor, rrezikojmë të humbasim ndikimin tonë”, thotë Wojcik për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, SHBA-ja ka nevojë për aleatët e saj dhe siguria evropiane mbetet e lidhur ngushtë me sigurinë globale.
Sa i përket rotacionit të fundit në Bondsteel, Wojcik përmend disa shpjegime të mundshme: riorganizimin e forcave, gatishmërinë e njësive apo situatën e sigurisë.
Por, ai nuk mund të konfirmojë se cila prej tyre qëndron, në fakt, pas vendimit amerikan.
O’Hanlon nuk sheh ende arsye për alarm, megjithëse paralajmëron se vendimet e ardhshme në Uashington kërkojnë vëmendje.
Flamuri i SHBA-së pranë atij të NATO-s në një ndërtesë qeveritare amerikane, në Uashington. Foto arkivi.
Flamuri i SHBA-së pranë atij të NATO-s në një ndërtesë qeveritare amerikane, në Uashington. Foto arkivi.
“E dimë se disa zyrtarë në Pentagon po përpiqen ta zvogëlojnë ndjeshëm angazhimin amerikan në Evropë. Po ashtu, e dimë se presidenti dhe nënpresidenti i SHBA-së kanë qëndrime të dyzuara ndaj NATO-s në përgjithësi”, thotë ai.
“Prandaj, kjo është diçka që duhet ndjekur me kujdes. Nuk jam ende në gjendje alarmi, por mendoj se nevojiten vigjilencë, vëmendje dhe, nëse është e nevojshme, edhe kundërshtim i këtyre përpjekjeve”, shton O’Hanlon.
Nga Gjermania dhe Italia, te Polonia dhe Rumania, rreth 80 mijë ushtarë amerikanë janë të dislokuar në Evropë, sipas të dhënave të publikuara gjatë vitit 2026.
Ata shërbejnë në baza të përhershme ose me rotacione dhe mbështesin sigurinë e kontinentit.
Kosova zë pak vend në këtë hartë, por, siç paralajmëron Wojcik, largimi i plotë prej saj mund t’i kushtojë rajonit. /REL
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



