Vajzat Dardane përballen sot me Estoninë në kualifikimet për Botëror

Kombëtarja e Kosovës në hendboll, në konkurrencën e femrave, do të përballet sonte me Estoninë, në kuadër të raundit të parë kualifikues për Kampionatin Botëror të vitit 2027.
Ndeshja do të zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, duke filluar nga ora 20:00, ndërsa përballja e dytë ndërmjet dy kombëtareve është paraparë për të shtunën, më 24 tetor, nga ora 17:00, përcjell albinfo.ch.
Përfaqësuesja që arrin rezultatin më të mirë në të dy ndeshjet do të sigurojë kalimin në fazën e fundit kualifikuese për Botërorin, i cili do të mbahet vitin e ardhshëm në Hungari.
Vajzat Dardane synojnë të vazhdojnë rezultatet pozitive të dy cikleve të fundit kualifikuese, gjatë të cilave kanë arritur të kalojnë raundin e parë. Në kualifikimet për Botërorin 2023, Kosova eliminoi Ishujt Faroe, ndërsa në ciklin për vitin 2025 shënoi fitore ndaj Belgjikës dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Edhe këtë herë, Kombëtarja e Kosovës synon ta shfrytëzojë përparësinë e terrenit vendas, pasi të dy ndeshjet ndaj Estonisë do të zhvillohen në Prishtinë.
Federata e Hendbollit e Kosovës ka bërë thirrje për përkrahje nga tifozët, me synimin që atmosfera në palestër t’u japë motivim shtesë hendbollisteve kosovare në këtë përballje të rëndësishme.
The post Vajzat Dardane përballen sot me Estoninë në kualifikimet për Botëror appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



