Vedat Muriqi i bën premtimin e madh trajnerit para derbit me Galatasarayn

Vedat Muriqi është i motivuar për derbin e madh të Stambollit, ku Fenerbahce do të përballet me Galatasarayn të hënën nga ora 19:30, në kuadër të xhiros së nëntë të kampionatit turk.
Kapiteni i kombëtares së Kosovës, i cili e ka nisur sezonin në formë të mirë, raportohet se i ka premtuar trajnerit Ismail Kartal se do të shënojë në përballjen e shumëpritur ndaj rivalit të përbetuar.
Sipas raportimeve të mediumeve turke të premten, Muriqi dhe trajneri Kartal kanë zhvilluar një takim privat gjatë kësaj jave, ku sulmuesi ka shprehur besimin e tij përpara derbit.
“Do të shënoj gol ndaj Galatasarayt. Mos u brengos”, raportohet t’i ketë thënë Muriqi trajnerit të tij.
Fenerbahçe do të synojë ta fitojë këtë përballje për t’iu afruar kreut të tabelës. Aktualisht, skuadra renditet në pozitën e tretë me 16 pikë, tri më pak se lideri Galatasaray.
Muriqi është rikthyer te Fenerbahce gjatë afatit kalimtar të verës, duke u transferuar nga Mallorca për 16 milionë euro.
Sulmuesi kosovar ka pasur një fillim mbresëlënës të sezonit, duke realizuar tetë gola dhe duke regjistruar dy asistime në 14 ndeshjet e para.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



