Viktimat e luftës nga Kosova nderohen në “Kopshtin e të Zhdukurve” në Meyrin
Në këtë kopsht është mbajtur përkujtimi i të zhdukurve me dhunë nga Kosova, në kuadrin e shënimit të 30 Gushtit, Ditës së të Zhdukurve me Dhunë The post Viktimat e luftës nga Kosova nderohen në “Kopshtin e të Zhdukurve” në Meyrin appeared first on Albinfo.

Kopshti i të zhdukurve është një hapësirë e gjelbëruar në komunën Meyrin të Gjenevës, i konceptuar si një ambient për kujtim dhe nderim të personave të zhdukur me dhunë nga e gjithë bota. Është ideuar dhe ngritur me iniciativën e komunitetit argjentinas të Gjenevës dhe me pjesëmarrjen edhe të shqiptarëve, për të përkujtuar bashkatdhetarët e zhdukur nga diktatura e atjeshme.
Këtë ambient prehjeje dhe devocioni e frekuentojnë edhe komunitetet nga vende të tjera që kanë kaluar nëpër situata të rënda, ashtu sikurse edhe shqiptarët e këtushëm. Për më tepër, në tokën ku janë mbjellë pemët e këtij parku është vendosur edhe dhe nga Kosova.
Pikërisht në këtë kopsht është mbajtur të shtunën përkujtimi i të zhdukurve me dhunë nga Kosova, gjatë luftës së fundit, në kuadrin e shënimit të 30 Gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Dhunë, shkruan albinfo.ch.
Me këtë rast kryetari i Komisionit Qeveritar të Kosovës për të Pagjeturit, Andin Hoti së bashku me të pranishmit ka vendosur një tufë lulesh mbi gurin në të cilin është gdhendur mesazhi për nderimin e personave të zhdukur me dhunë. Hoti më tutje ka theksuar rëndësinë që ka përkujtimi i të zhdukurve, si detyrim që kemi deri në zbardhjen e fatit të tyre. Duke i kujtuar ata, ne bëjmë presion mbi shtetet a regjimet që kanë ushtruar dhunë, në rastin tonë, mbi Serbinë, për të hapur arkivat dhe zbuluar të vërtetën e rreth 1600 të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë, ka thënë ai. Me këtë rast Hoti ka folur edhe në cilësinë e tij personale, si i biri i patriotit të zhdukur, Ukshin Hoti.
Iniciatorja e manifestimit dyditësh për shënimin e Ditës së të Zhdukurve me Dhunë, kryetare e shoqatës “Dora D`Istria”, Mirishahe Limani Hiler në fjalën e saj ka prezantuar para të pranishmëve konceptin mbi të cilin është ngritur dhe funksionon ky kopsht. Ajo ka nënvizuar se duke e shënuar ditën e të zhdukurve ne po japim një mesazh nderimi për të gjithë të zhdukurit, me theks të veçantë te shqiptarët ende të pagjetur, nga lufta e fundit në Kosovë. Po ashtu ne po sensibilizojmë opinionin e këtushëm me barrën që vazhdon të peshojë mbi shoqërinë shqiptare, ndriçimin e fatit të të zhdukurve. Limani Hiler ka kujtuar se në mesin e themeluesve të Kopshtit të të Zhdukurve ka qenë edhe gazetari dhe aktivisti tashmë i ndjerë, Hevzi Kryeziu.
Kryetari i Lidhjes Shqiptare në Botë, Nazmi Jakurti ka sjellë në kujtesë një aktivitet që subjekti të cilin ai e drejton tani, kishte realizuar 24 vite më parë, po në Gjenevë, me synimin dhe kërkesën e njëjtë: presionin për gjetjen ose zbardhjen e fatit të shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës. Fakti që edhe sot, pas një çerekshekulli sërish po dalim me kërkesa të njëjta tregon se sa e vështirë është të përmbushet ky mision. “Por ne duhet të vazhdojmë dhe të bëjmë gjithçka që është në mundësitë tona, që ta realizojmë atë”, ka thënë veç tjerash Jakurti.
Aktivistja, njëherësh anëtare e këshillit të Kopshtit të të Zhdukurve, Arta Kryeziu ka folur për detyrimin që në veçanti komuniteti shqiptar në Gjenevë ka për të punuar në zbardhjen e fatit të të zhdukurve, kur dihet se Gjeneva është një qendër botërore sa i përket të drejtave të njeriut. Ajo ka shtuar se ne kemi detyrim moral që t`ua përcjellim edhe fëmijëve tanë amanetin për realizimin e këtij misioni.
Duke folur si njeriu i parë i Meyrin-it, një komune me numër të madh të banorëve me prejardhje të huaj, kryetari i kësaj komune, Francisco Sanchez ka thënë se bashkëndjen me familjarët dhe bashkatdhetarët e personave të zhdukur me dhunë. Ai ka kujtuar se komuna që drejton, ka nderin të vihet në dispozicion të nderimit të tyre, përmes këtij kopshti simbol dhe vend takimi e prehjeje për të afërmit e të zhdukurve.
Në Gjenevë gjatë ditës së djeshme, në kuadër të shënimit të Ditës së të Zhdukurve me Dhunë është mbajtur Marshi për Drejtësi, i cili ka pasur si cak sheshin para Pallatit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Aty pastaj është zhvilluar një aktivitet përkujtimor dhe artistik, përfshirë prezantimin e fotografive të të zhdukurve dhe programin artistik.
Sot manifestimi vazhdon me ekspozitën tematike mbi të zhdukurit dhe tryezën e rrumbullakët me po këtë temë.
The post Viktimat e luftës nga Kosova nderohen në “Kopshtin e të Zhdukurve” në Meyrin appeared first on Albinfo.