51-vjeçari vdes rrugës për në Emergjencë – dyshohet se u ngulfat nga ushqimi

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Shtime, ku një 51-vjeçar është gjetur i shtrirë para një marketi, ndërsa pak më vonë është konstatuar pa shenja jete.
Sinjali mëson se viktima është Nexhmedin Gavazi, i lindur më 1974, banor rezident i QIRSKP-së në Shtime.
Rasti është regjistruar rreth orës 22:30 në rrugën “Tahir Sinani”, përballë QIRSKP-së, ku Gavazi ishte gjetur i shtrirë para marketit “Elira”.
Ekipi i Emergjencës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe 51-vjeçari është transportuar me autoambulancë drejt Qendrës Emergjente në Shtime.
Por përpjekja për ta shpëtuar ka përfunduar tragjikisht.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, mjeku kujdestar ka konstatuar se Gavazi ishte sjellë në Emergjencë pa shenja jete.
Një detaj i evidentuar gjatë intervenimit ka ngritur dyshimet e para për atë që mund t’i ketë paraprirë vdekjes.
Sipas informatave të rastit, mjeku ka dyshuar se 51-vjeçari mund të jetë ngulfatur gjatë konsumimit të ushqimit, pasi nga goja, përkatësisht fyti i tij, është larguar një copë ushqimi që raportohet të ketë qenë burek.
Megjithatë, shkaku i vdekjes ende nuk është përcaktuar zyrtarisht, ndaj ky mbetet vetëm dyshimi fillestar i evidentuar nga mjeku dhe nuk duhet trajtuar si përfundim mjeko-ligjor.
Në Emergjencë dhe në vendin ku ishte gjetur viktima kanë dalë hetuesit rajonalë dhe njësia e Forenzikës, të cilët kanë kryer veprimet e nevojshme hetimore.
Për rastin është konsultuar edhe prokurori kujdestar për krime të rënda, Veton Shabani, i cili ka autorizuar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa hetimet rajonale në Ferizaj po vazhdojnë punën për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun përfundimtar të vdekjes.
Obduksioni pritet të japë përgjigjen nëse ngulfatja nga ushqimi ishte shkaku i vdekjes apo nëse 51-vjeçari kishte pësuar ndonjë gjendje tjetër shëndetësore para se të gjendej i shtrirë.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



