Vrasja e dyfishtë në Kamëz, Ngushëllim Manzi lihet në burg

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 40-vjeçarin Ngushëllim Manzi, i dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve Selam dhe Nazmi Islamaj dhe plagosjen e vëllait të tyre, Shefqet Islamaj, në Kamëz.
Gjatë dëshmisë së dhënë në polici, Manzi është shprehur i penduar për ngjarjen. Ndërsa para gjykatës nuk ka dhënë deklarime, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, duke paraqitur versionin e tij të ngjarjes përmes avokatit.
Sipas pretendimeve të mbrojtjes, konflikti ka nisur pasi tre vëllezërit Islamaj e kanë dhunuar Manzin, motrën dhe nënën e tij, duke i goditur me sende të forta dhe leva.
40-vjeçari pretendon se, pas kësaj përplasjeje, ka marrë armën dhe ka qëlluar ndaj vëllezërve Islamaj, në kushtet e një tronditjeje të rëndë psikike.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 19 tetor në zonën e Bathores, në Kamëz. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, Selam dhe Nazmi Islamaj humbën jetën, ndërsa vëllai i tyre, Shefqet Islamaj, mbeti i plagosur.
Rrethanat e plota të konfliktit dhe pretendimet e palëve mbeten për t’u sqaruar në vijim të hetimeve.
The post Vrasja e dyfishtë në Kamëz, Ngushëllim Manzi lihet në burg appeared first on Euronews Albania.
Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



