Vrasjet e grave shqiptare në Zvicër: Për kë po bien kambanat?

Lidhur me vrasjet e fundit në Zvicër, Albinfo.ch ka marrë mendimet e një numri ekspertësh nga fusha të ndryshme, si: psikiatër, politikanë, juristë, sociologë etj. The post Vrasjet e grave shqiptare në Zvicër: Për kë po bien kambanat? appeared first on Albinfo.

Vrasjet e grave shqiptare në Zvicër: Për kë po bien kambanat?

Raste të vrasjes së grave nga ana e bashkëshortëve a partnerëve të tyre, ndodhin kudo, prandaj edhe në mesin e shqiptarëve, edhe në Zvicër. Kështu, asnjë fushatë, as kundërshtim kolektiv nuk arrin ta ndalojë kriminelin që ka vendosur t`i marrë jetën gruas së vet, nënës së fëmijëve të tij. Kjo është klisheja e një “arsyetimi” që përdorin në mbrojtje të komoditetit të tyre indiferentët, të cilët zakonisht përbëjnë shumicën në çdo shoqëri.

Por nuk duhet të jetë kështu.

Shpeshtimi i rasteve të dhunës mbi gratë dhe i vrasjeve të tyre ndër shqiptarët e Zvicrës është bërë alarmant, sidomos kohëve të fundit. Po ndodh kjo, në një kohë kur shqiptarët e brezit të dytë e të tretë supozohej se tashmë duhej të ishin çliruar nga veset e trashëguara të patriarkalizmit. Do të duhej të ishin më të gatshëm për të përvetësuar normat e qytetërimit, që vlejnë në vendet ku jetojnë, si Zvicra, Gjermania etj.

Por, mjerisht, vrasjet po bëhen edhe nga këta burra, të rinj ose të moshës së mesme, të lindur ose të rritur në Zvicër. Sikurse në rastin më të ri, në Epagny të Friburgut, ku dorasi, një 42 vjeçar, “koleksionist armësh” dhe aktivist politik lokal, pasi vrau bashkëshorten, i mori jetën edhe vetes.

Edhe pa ndodhur vrasjet, shfaqjet e maçoizmit në sjellje dhe në mënyrën e jetesës janë një shenjë dalluese e mjaft të rinjve tanë, në Zvicër e gjetiu. Një tregues që paralajmëron për trajtimin e partneres apo gruas, nga ana e tyre, në të ardhmen. Prandaj ky mentalitet “posesiv” i tyre në raport me vajzat, gratë, duhet të merret në shënjestër nga edukatorët/et, pedagogët, psikologët e tyre, nëse edukimi nga ana e prindërve tashmë ka rënë në provim.

Lidhur me këtë fenomen, Albinfo.ch ka marrë mendimet e një numri ekspertësh nga fusha të ndryshme që lidhen me tematikën si: psikiatër, politikanë, juristë, sociologë etj. Të gjithë ata/ato kanë shikuar këtë çështje nga perspektiva e profesionit të tyre.

Qëndresa Hoxha Sadriu, politikane: “Profili specifik” është se ishin burra ata që kryen femicidet

Albinfo.ch: Dy vrasjet e fundit në mesin e shqiptarëve të Zvicrës, kanë tronditur, jo vetëm  komunitetin tonë. Në bazë të përshkrimit kriminologjik të tyre a mund të flitet për një “profil specifik” të krimit, që e dallon atë nga të tjerët? A mendoni se ka luajtur një rol edhe ambienti kulturor ku janë rritur dhe socializuar shqiptarët, në këtë rast, autorët e krimeve?

“Profili specifik” ose karakteristikë është se ishin burra ata që kryen dy femicidet. Nuk mendoj se mund të supozojmë një profil specifik këtu, pasi femicidet kryhen nga burra me prejardhje të ndryshme socio-kulturore. Janë të shkolluar apo të paarsimuar, të punësuar apo të papunë, janë prindër apo jo, janë të rinj apo të vjetër, por janë gjithmonë meshkuj. Në dy rastet konkrete, mund të bëhet paralele për sa i përket prejardhjes së tyre shoqërore dhe dosjeve kriminale, kjo është e vërtetë. Këto janë rrethana të ngjashme jetësore që kanë rezultuar në të njëjtin agresion.

Ne jemi të gjithë të socializuar duke filluar nga familja dhe mjedisi ynë dhe më pas nga karriera jonë intelektuale dhe profesionale institucionale dhe sistemi politik përgjatë fazave tona të jetës. Mënyra se si jemi dhe si sillemi si të rritur ka të bëjë me mjedisin në të cilin rritemi dhe bëhemi të rritur.

Ne (shqiptarët) jetojmë me dy kultura brenda nesh – atë zvicerane dhe atë shqiptare. Sistemet politike, qofshin në Zvicër apo në Kosovë (Shqipëri, Maqedonia e Veriut, etj.), janë historikisht patriarkale – pra, nga dhe për burrat “cis” (sugjerim të burrërisë). Gratë fitojnë më pak për të njëjtën punë, shumica dërrmuese e punës së përkujdesit bëhet nga gratë, gratë vazhdojnë të nënpërfaqësohen masivisht në pozita drejtuese, trashëgimia shpërndahet ndryshe, në bazë të gjinisë së fëmijëve të mbetur pas, barrierat sociale dhe ekonomike për divorc janë më të larta për gratë sesa për burrat dhe çojnë në varësi, norma për burrin si ushqyes i familjes dhe gruan si kujdestare është e rrënjosur thellë, presioni mbi vajzat e reja për të “luajtur” në mes të normës shoqërore dhe dëshirave të tyre është i lartë – ato maten ekonomikisht, gjuhësisht, shoqërisht dhe kulturalisht me standarde të pabarabarta.

Për edukimin e dy kriminelëve mund të nxjerr përfundime vetëm në bazë të supozimeve. Nëse dy vrasësit janë rritur në një familje patriarkale dhe si rrjedhojë hierarkike, nëse mjedisi i tyre ruante zakone të vjetruara dhe nëse ata ishin gjithashtu të formuar nga dy realitete që u krijuan nga dhe për burrat cis, atëherë socializimi i tyre ka çuar në krimin e tyre.

Albinfo.ch: Nga perspektiva e profesionit tuaj, kush është në përgjegjësi tani dhe cilat janë masat që duhen marrë nga shoqëria për të ulur numrin e krimeve të tilla?

Mua më zemërojnë gjithmonë pyetjet si “Cila është përgjegjësia jonë tani?” ose “Çfarë mund të bëjmë tani?”. Ndjehen si pyetje retorike, sikur nuk janë synuar seriozisht. Këto pyetje më janë bërë mua si politikane gjatë 12 viteve të fundit, pas secilit prej femicideve të shumta (!!!!) të fundit, dhe ato vazhdojnë të më bëhen. Përgjigjet e këtyre pyetjeve dihen prej kohësh, por gatishmëria për t’i marrë seriozisht duket se nuk mjafton. Reflektoni në mënyrë kritike për edukimin dhe sjelljen tuaj si dhe për sistemet tona politike, njihni sakrificat e grave në familjet tuaja dhe në shoqëri, merrni seriozisht kërkesat feministe dhe kërkojini ato me ne, pa kushte. Nuk janë përgjegjës “ata” që i bëjnë këto krime të neveritshme, nuk janë “ata” që duhet të luftojnë për to, ata që preken personalisht – jemi “NE” ata që janë përgjegjës, sepse shqetësimet feministe na prekin të gjithëve, pavarësisht gjinisë. Asnjë kërkesë feministe nuk është e tepërt. Çdo femicid (i mëtejmë) është një përgjigje për këto pyetje retorike. Le të zbatojmë përfundimisht përgjigjet e këtyre pyetjeve. Sepse edhe unë nuk dua t’i bëj vetes të njëjtën pyetje çdo herë, e cila është retorike e dhimbshme: “Edhe sa femicide të tjera?”.

Shkumbin Gashi, psikolog: Rrënjët e dhunës duhet adresuar në mënyrë të përgjegjshme, pa paragjykime

Albinfo.ch: Dy vrasjet e fundit në mesin e shqiptarëve të Zvicrës, kanë tronditur, jo vetëm  komunitetin tonë. Në bazë të përshkrimit kriminologjik të tyre a mund të flitet për një “profil specifik” të krimit, që e dallon atë nga të tjerët? A mendoni se ka luajtur një rol edhe ambienti kulturor ku janë rritur dhe socializuar shqiptarët, në këtë rast, autorët e krimeve?

Së pari, ngushëllimet më të sinqerta për familjet e grave që janë vrarë. Humbje të tilla janë tragjike dhe lënë plagë të thella, andaj shpresoj me gjithë zemër që të gjejnë forcën dhe durimin me u përballë me këtë sfidë kaq të rëndë dhe të padrejtë që iu ka rënë për hise. Tash, me u përpjekë me ndërtu ndonjë “profil specifik” të vrasësit shqiptar apo të ndonjë krimi të kryer nga shqiptarët, për mu është një rrugë e gabuar dhe e rrezikshme, një rrugë qorre. Nuk dua të bie në grackën e stigmatizimit, duke i ndarë kriminelët në baza kombëtare, sepse kjo nuk është as e drejtë, as e vërtetë. Dhuna nuk ka kombësi, dhe krimi nuk është tipar i ndonjë etnie të caktuar. Përkundrazi, duhet adresuar rrënjët e dhunës në mënyrë të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse, pa paragjykime dhe pa rënë pre e narrativave që ushqejnë urrejtje apo ndasi.

Është e pamundur të shkëputen krejtësisht aktet individuale nga konteksti kulturor e psikologjik ku një njeri është rritur e formuar. Kultura ka ndikim, jo në kuptimin që “shqiptarët janë kështu”, po në kuptimin që disa norma, pritshmëri ndaj burrnisë, ndaj gruas, ndaj kontrollit e nderit, janë ende të ngulitura thellë te shumë prej bashkëkombësve tanë. E kur këto bashkohen me mungesën e aftësive për të menaxhuar ndjenjat, me stresin, me mungesën e integrimit, krijohet një kombinim i rrezikshëm i faktorëve shtytës drejt krimit, në rastin konkret vrasjes së gruas.

Nga perspektiva e profesionit tuaj, kush është në përgjegjësi tani dhe cilat duhet të jenë masat që ne si shoqëri duhet të ndërmarrim për të ulur numrin e krimeve të tilla?

Mendoj se përgjegjësia është e shpërndarë, po shpesh askush nuk e mban si duhet. Në nivel institucional në Zvicër, ka struktura që funksionojnë, por vetëm nëse përdoren. Policisë, shërbimeve sociale, psikiatrisë apo qendrave për viktima të dhunës iu mungon shpesh qasja kulturore e ndjeshme. Ka edhe raste kur sinjalet nuk merren seriozisht, ose mungon bashkëpunimi mes institucioneve. E kjo krijon vrima ku dhunuesit veprojnë lirshëm, edhe kur ka pasur shenja të qarta më herët. Po edhe ne si shqiptarë në Zvicër kemi punë për të bërë. Nuk mjafton të indinjohemi sa herë ndodh një tragjedi. Duhet qenë më të zëshëm si komunitet kundër dhunës. Duhet inkurajuar gratë që të kërkojnë ndihmë. Duhet luftuar mentalitetin e “mos përzi se është punë familje”. I duhet hequr burrit iluzionin se gruaja është pronë ose turpi i tij. Masat konkrete? Edukim për burrat dhe gratë, edhe për gjeneratat e reja, edhe për ata që kanë ardhur më herët. Shërbime të ndërmjetme që e kuptojnë kontekstin kulturor, por që nuk e relativizojnë dhunën. Dhe mbi të gjitha, një bashkëpunim më i fortë mes institucioneve zvicerane dhe organizatave shqiptare, për t`i kapur rastet para se të jetë vonë. Në fund të ditës, nuk ka as integrim të mirëfilltë, as dinjitet për komunitetin tonë, nëse mbyllim sytë përballë dhunës!

Dr. Besnik Abazi, psikiatër: Struktura patriarkale e shoqërisë “na mëson” që partneren/in ta konsiderojmë si pronë tonën

Definicioni Femicid është kur gratë ose vajzat vriten vetëm për faktin që janë gra dhe vajza. Kjo do të thotë që vritet vetëm gjinia femërore. E kjo në kulturën tonë nuk është vetëm ndaj gjinisë femërore, por për fat të keq edhe ndaj gjinisë mashkullore vepron ky fenomen. D.m.th. vrasjet në kulturën tonë janë fatkeqësisht përditshmëri.

Vrasja e partnerit intim, gruas në këtë rast, quhet Intimicid. E në rastin e fundit në Zvicër kemi të bëjmë me Intimicid.

Pse ndodhin këto raste? Në radhë të parë gjen shprehje struktura patriarkale e shoqërisë sonë, pastaj e konsiderojmë partnerin si pronë tonën e jo si qenie e lirë njerëzore, pa pronësi. Askush nga ne nuk është pronë e tjetërkujt, përpos e vetes së tij/ saj.

Në vitin 2023 në Gjermani janë regjistruar 938 raste të Femicidit. Në 80 % të këtyre rasteve burri e ka vrarë ose tentuar ta vrasë ish partneren, d.m.th. ishin raste intimicidi.

Rreziqet e ndodhjes së një vrasjeje në përgjithësi dhe të femicidit në veçanti janë: Posedimi i Armës. 90 % të vrasjeve dhe vetëvrasjeve ndodhin me armë, 5 herë më shumë burri vret gruan (intimicid); Konfliktet e mëhershme verbale, dhunë trupore; Kërcënimet kundër fëmijëve dhe anëtarëve të familjes; Përjetimi i ngjarjeve traumatike në të kaluarën si p.sh. dhuna në familje; Sjelljet suicidale (vetëvrasëse), tentimet suicidale dhe mendimet suicidale; Ndarjet dhe shkurorëzimi; Xhelozia; Stalkingu, përcjellja e vazhdueshme e Partnerit; Mediat sociale; Konsumimi i drogës dhe alkoolit si dhe izolimi, tërheqja sociale.

Për parandalimin e dhunës ndaj gruas dhe luftimin e kësaj dukurie obligohen shtetet që ta zbatojnë Konventën e Stambollit të Këshillit të Evropës i cili i obligon shtetet të ndërmarrin të gjitha masat për t’i ndaluar me ligj këto dukuri.

Edhe një e dhënë statistikore: Në SHBA vriten çdo ditë 125 njerëz me armë zjarri. Posedimi i armës është faktori kyç që duhet luftuar si dhe emancipimi i burrave në shoqërinë tonë që partneri nuk është pronë e askujt, por njeri si vetë burri  ashtu edhe gruaja që nuk janë pronë e askujt.

Orhan Spahiu, jurist: Dhuna nuk arsyetohet me asgjë

Nga ana juridike mund të them që dhuna në familje gjithashtu edhe të shqiptarët është një problem i madh që duhet marrë me seriozitetin më të lartë, sepse bëhet fjalë për jetë njerëzish. Dhuna nuk është vetëm fizike, ka edhe dhunë psikike (ofendime, kërcënime etj.)

Shumë me rëndësi për institucionet është që personat e prekur nga dhuna të lajmërohen menjëherë te qendrat përkatëse në Zvicër (qendrat për ndihmë për viktimat, gjermanisht Opferhilfe, Frauenhaus etj.) si dhe te policia dhe të kërkojnë ndihmë menjëherë. Kështu mund të reagohet më shpejt dhe të mbrohen menjëherë viktimat. Gjithashtu edhe sigurimi i dëshmive mund të bëhet më lehtë, e kjo është shumë e rëndësishme për procedurat ligjore, qoftë penale, qoftë civile. Dhuna nuk duhet të tolerohet asnjë sekondë dhe nuk arsyetohet me asgjë. Pra, duhet të denoncohet menjëherë.

Pas lajmërimit, policia vepron shumë shpejt dhe i shqyrton menjëherë masat qe duhen ndërmarrë në rastin konkret, p.sh. ka mundësi që ta largon nga shtëpia/banesa personin dhunues, t’ia ndalojë t’i afrohet viktimës, banesës/shtëpisë, vendit të punës apo ndonjë vendi tjetër (shkollës etj.), t’ia ndaloj kontaktin me viktimën, nëse kërcënimi është akut dhe i rëndë, atëherë edhe mund ta ndalojë deri në 24 ore dhe nëse duhet edhe më gjatë, atëherë policia bënë kërkesë në gjykatë që të zgjatet ndalesa edhe më gjatë se 24 orë. Lajmërimi i shpejtë është gjithashtu shumë i rëndësishëm, sepse sigurimi i dëshmive mund të bëhet më lehtë, e kjo është shumë e rëndësishme për procedurat ligjore, qoftë penale, qoftë civile.

Policia mund të veproj vetëm nëse informohet për rastin. Ka edhe qendra ku viktimat mund të lajmërohen për t’u informuar/këshilluar dhe të mbesin anonim.

Në rastet e dhunës në familje, institucionet duhet ta ndryshojnë qasjen dhe të jenë edhe më konsekuent me masat në të gjitha rastet, sidomos me personat që vetëm janë të regjistruar që kanë qenë të dhunshëm, pra rastet recidive. P.sh. të obligohen të ndjekin më gjatë terapi ose kurse dhe të mbahen më gjatë larg viktimës etj.

Arbela Statovci, politikane, feministe: Femicidi, kur pretendimi për “posedim” bëhet vdekjeprurës

Në Zvicër çdo 14 ditë një grua vritet nga (ish-)partneri i saj. Femicidet nuk janë një problem kulturor, por një problem strukturor – dhe ato na prekin të gjithëve. Së fundmi në komunitetin shqiptar janë vrarë edhe dy gra. Kjo dhunë nuk fillon me thikë – por me një fjali si: “Ai është djalë, i lejohet ta bëjë këtë”.

Vajzat dhe djemtë ende rriten ndryshe nga njëri tjetri. Djemtë mësojnë të afirmojnë veten – vajzat mësojnë të heshtin. Kjo nuk është një rastësi, por një model social. Në familjet ku fëmijët rriten me të drejta të barabarta, ka më shumë respekt dhe më pak posesivitet.

Studimet nga OECD dhe UNICEF konfirmojnë: Arsimi i barabartë mbron nga dhuna. Edhe gratë e arsimuara nuk janë të sigurta. Ato nuk vriten për shkak të dobësisë, por shpesh për shkak të forcës së tyre. Sepse duan të ikin, të mbrohen, të dinë shumë. Dhe kjo është pikërisht ajo që ne nuk mund të tolerojmë më.

Duhet guxim – dhe mbështetje. Shumë gra mbeten (në martesë) sepse besojnë se nuk kanë rrugëdalje. Sepse u vjen turp. Kjo është arsyeja pse ne duhet të dërgojmë një mesazh: kthimi në shtëpi nuk është turp – është forcë.

Po sikur t’u japim vajzave tona jo vetëm ar, por një çelës si dhuratë martese? Një çelës me mesazhin: “Kthehuni në çdo kohë – jeni gjithmonë të mirëpritura”. Një çelës përfaqëson besimin, lirinë dhe dashurinë e pakushtëzuar. Ai thotë: Ju nuk jeni pronë – ju jeni të lira.

Dhuna nuk mund të luftohet vetëm me ligje.

Ne kemi nevojë për arsimim të hershëm, më shumë strehimore për gratë, punë (riedukim) me dhunuesit – dhe një kulturë të re debati. Media duhet ta quajë femicidin ashtu siç është – jo një “dramë familjare”, por një krim.

Integrimi do të thotë më shumë se vetëm gjuha – do të thotë vlera. Ata që jetojnë këtu duhet të mbështesin barazinë, vetëvendosjen dhe jo dhunën.

Të gjithë mbajmë përgjegjësi: politika, arsimi, shoqëria – por edhe çdo familje. Ne duhet t’i rrisim fëmijët tanë në mënyrë të barabartë dhe të jemi të gatshëm t`i shtrojmë vetes pyetje

Në fund të fundit, bëhet fjalë për një qëndrim të qartë: goditja, kontrolli ose vrasja nuk demonstron burrëri – tregon dobësi dhe marrëzi.

Hamit Zeqiri, sociolog: Përgjithësimet nuk i shërbejnë sensibilizimit efektiv të popullatës

Asnjë krim nuk është krejtësisht i njëjtë me një krim tjetër e sidomos kur flitet për krime të “etniteteve” të ndryshme. Përgjithësimet nuk i shërbejnë sensibilizimit efektiv të popullatës. Nuk mund të flitet për motive të përbashkëta të të gjitha vrasjeve, ngase secili rast i ka specifikat e veta. E përbashkëta e krimeve femicide është gjinia e vrasësve dhe viktimave. Në këtë kuptim mund të shtrohet pyetja se në çfarë ambienti social dhe kulturor janë rritur dhe socializuar dorasit dhe çfarë vlerash kanë marrë nga ambienti përkatës.

Edukimi i mirë i fëmijëve është një masë shumë e rëndësishme dhe me efekte afatgjate. Obligim në edukimin e fëmijëve kanë prindërit, mësueset dhe mësuesit, mediat etj. Një masë e rëndësishme është edhe dënimi adekuat i vrasësve. Mediat sociale e kanë poashtu një përgjegjësi të veçantë. Arsyetimi i krimeve nuk do të duhej të ketë vend në asnjë medium dhe në asnjë formë. As në formën e komenteve anonime apo të personalizuara.

 

 

The post Vrasjet e grave shqiptare në Zvicër: Për kë po bien kambanat? appeared first on Albinfo.