VV-ja insiston se do ta krijojë qeverinë, PDK-ja kërkon qeveri të opozitës, LDK-ja e do me patjetër kryeministrin

Një hallakamë e madhe mund të krijohet pas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për zgjedhjet e 9 shkurtit. Përderisa Vetëvendosja nuk shkon mbi 48 deputetë, duket e vështirë të krijohet një qeveri nga ana e tyre pa një parti tjetër. Megjithatë, pavarësisht kësaj, nga partia në pushtet, dhe nga fjalët e Kurtit, ata janë shprehur të

VV-ja insiston se do ta krijojë qeverinë, PDK-ja kërkon qeveri të opozitës, LDK-ja e do me patjetër kryeministrin

Një hallakamë e madhe mund të krijohet pas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Përderisa Vetëvendosja nuk shkon mbi 48 deputetë, duket e vështirë të krijohet një qeveri nga ana e tyre pa një parti tjetër.

Megjithatë, pavarësisht kësaj, nga partia në pushtet, dhe nga fjalët e Kurtit, ata janë shprehur të bindur se do ta formojnë qeverinë. Mirëpo si, kjo është pyetje që ende nuk ka përgjigje.

“Së pari rezultatet përfundimtare, pastaj certifikimi, pastaj bisedimet, pastaj Qeveria e udhëhequr nga Vetëvendosje dhe unë.” ka thënë Kurti

Ishte kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, i cili ia la një derë hapur Vetëvendosjes, duke shtuar se mund të bisedojë me të gjithë.

Por, nëse VV-ja nuk arrin t’i krijojë numrat, Partia Demokratike e Kosovës po kërkon qeveri të opozitës. Njëjtë, siç kërkonte edhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj.

Megjithatë, për PDK-në, kryeministri do t’iu takonte vetëm atyre.

“Ne do ta thërrasim edhe LDK-në, edhe AAK-në, edhe të gjitha partitë tjera që kanë qenë në opozitë për të krijuar qeverinë. Për deklaratën e Abdixhikut, e lexova që ka vend për negociata. Është mirë me u ulë në tavolinë. Situata është e qartë. Partia Demokratike e Kosovës i ka 24 deputetë dhe partitë tjera opozitare kanë më pak deputetë. Mendoj që kjo është edhe e drejtë,” tha Hamza.

“E drejtë është që Partia Demokratike e Kosovës, në rast se VV dështon në formimin e Qeverisë, ta marrë iniciativën për krijimin e qeverisë dhe ta udhëheq atë. Jam i gatshëm të diskutoj me të gjitha partitë me respekt maksimal. Për postin e kryeministrit, ajo dihet, është e qartë, i takon partisë që është më e madhe. Është logjike. Është e drejtë,” u shpreh Hamza në Klan Kosova.

Por, edhe qeveria e opozitës mund të jetë sfiduese. Kjo pasi LDK-ja dje la të kuptohet se nuk bëhet pjesë e asnjë qeverie pa kryeministër.

“Nuk kemi pasur asnjë takim me asnjë prej partive politike në Kosovë, sidomos me partinë në pushtet. Nuk duam, nuk kemi dhe nuk punojmë për bashkëpunim me ta (LVV)”, deklaroi Abdixhiku teksa bëri të qartë se “LDK-ja e ka të qartë pozicionin e vet politik karshi Lëvizje Vetëvendosje”.

Megjithatë, kur u pyet nëse partia e tij do të shqyrtonte një koalicion me Partinë Demokratike dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Abdixhiku nuk dha një refuzim kategorik, por e lidhi çdo bashkëpunim të mundshëm me një kusht të qartë: posti i kryeministrit duhet të jetë i LDK-së.

“Qëndrimi ynë elektoral e paraelektroal ka qenë se LDK-ja nuk do të jetë pjesë e asnjë qeveria pa pozitën e kryeministrit. Ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë tani.” – tha ai.

Por ai shtoi se “askush nga njerëzit e autorizuar të LDK-së nuk ka pasur asnjë kontakt me asnjërën prej partive politike në nivel të komunikimit zyrtar”

Arsyeja qendrore e këtij qëndrimit të LDK-së, sipas Abdixhikut, qëndron te fakti se ata “nuk besojnë në një qeveri afatshkurtër”, teksa e lidhi stabilitetin e saj me zgjidhjen e çështjes së Presidentit të Kosovës.

“Kemi thënë se LDK nuk synon dhe nuk do të punojë për një qeveri afatshkurtër. Pra, pa zgjidhjen e çështjes bazike të Presidentit që përcakton zgjedhjet e ardhshme nacionale të Kosovës, LDK nuk beson se do të ketë stabilitet qeveritar dhe për qeveri afatshkurtra fare.” – tha Abdixhiku.