“Xhamadani vija-vija” jehon në United Center, Bulls sjellin atmosferë shqiptare në NBA

“Xhamadani vija-vija” jehon në United Center, Bulls sjellin atmosferë shqiptare në NBA

Një nga arenat më të njohura të basketbollit në botë, United Center në Chicago, është shndërruar në një skenë të vërtetë shqiptare, ku kënga legjendare “Xhamadani vija-vija” dhe vallet tradicionale kanë jehuar para një ndeshjeje të NBA-së, transmeton albinfo.ch.

Para zhvillimit të ndeshjes së Chicago Bulls, atmosfera në sallë mori një kthesë të veçantë, pasi një ansambël nga komuniteti shqiptar në Illinois, i ftuar nga vetë Chicago Bulls, realizoi një performancë mbresëlënëse me muzikë dhe valle tradicionale shqiptare.

Valltarët të veshur me kostume kombëtare sollën energji dhe krenari në parket, ndërsa tingujt e muzikës tradicionale pushtuan arenën, duke tërhequr vëmendjen e publikut amerikan, transmeton tutje albinfo.ch.

 

Screenshot

 

Sipas pamjeve që tashmë po qarkullojnë në rrjetet sociale, shumë të pranishëm janë mahnitur nga ritmi dhe gjallëria e valleve shqiptare, duke e bërë këtë moment një nga më të veçantët e këtij sezoni në NBA.

Kjo mbrëmje e dedikuar komunitetit shqiptar në Chicago u konsiderua si një moment krenarie, duke dëshmuar edhe një herë se kultura shqiptare nuk njeh kufij, nga Shqipëria e Kosova deri në zemër të Shteteve të Bashkuara.

Momenti tashmë po bën xhiron e rrjeteve sociale, duke promovuar traditat shqiptare në një nga skenat më të mëdha sportive në botë./Albinfo.ch

 

 

The post “Xhamadani vija-vija” jehon në United Center, Bulls sjellin atmosferë shqiptare në NBA appeared first on Albinfo.