Xheraldina Maria e pushtuar nga emocionet në koncertin madhështor të Armend Rexhepagiqit në Prishtinë: “Loçki, Prishtinali lindë, nuk bohesh!”
Mbrëmja e djeshme në Prishtinë ishte e mbushur me ndjenja, muzikë të vërtetë dhe një publik të etur për nostalgji e shpirt. E në mesin e atyre që përjetuan deri në palcë emocionet e koncertit të Armend Rexhepagiqit, ishte edhe Xheraldina Maria – gazetarja, producentja dhe një emër ikonë i kulturës urbane kosovare, e cila […]

Mbrëmja e djeshme në Prishtinë ishte e mbushur me ndjenja, muzikë të vërtetë dhe një publik të etur për nostalgji e shpirt. E në mesin e atyre që përjetuan deri në palcë emocionet e koncertit të Armend Rexhepagiqit, ishte edhe Xheraldina Maria – gazetarja, producentja dhe një emër ikonë i kulturës urbane kosovare, e cila e ndau shpërthimin e saj emocional me ndjekësit në rrjetet sociale.
Në një status të sinqertë, Xheraldina nuk i kurseu fjalët për mikun e saj të vjetër të klasës, artistin që “i lëvizi mbaresat nervore” jo vetëm asaj, por të gjithë Prishtinës. “Jo veç mu, po krejt Prishtinës”, shkroi ajo, duke përshkruar me pak fjalë atë që ndodhi: një koncert që ndaloi kohën dhe e mbushi kryeqytetin me emocion dhe dashuri.
E mahnitur nga fuqia e muzikës dhe ndikimi i saj mbi qytetin, ajo theksoi edhe kaosin pas koncertit – një Prishtinë e mbushur me njerëz, ku “as 1 ore mbas koncertit s’ki mujt me gjetë taksi” – një sinjal i qartë se diçka e madhe kishte ndodhur, diçka që i bashkoi njerëzit.
Por përtej entuziazmit, Xheraldina nuk ngurroi të thumbonte edhe ata që, përmes statuseve, tentuan ta relativizojnë apo ironizojnë madhështinë e kësaj mbrëmjeje. “Po më dhimbsen do që me statuse i paskan shprehë komplekset e tyne që nuk janë sa duhet urban”, shkruan ajo, duke vënë në pah një ndarje mes atyre që e kuptojnë rrënjësisht artin dhe ata që përpiqen të duken “trendy” duke e nënvlerësuar atë.
Fjalët që mbyllën statusin e saj janë kthyer në refren për shumë qytetarë:
“Loçki, Prishtinali lindë, nuk bohesh!”
Një mesazh krenarie, përkatësie dhe autenticiteti që vetëm dikush si Xheraldina mund ta artikulojë me aq klas dhe goditje.
Për të, Armend Rexhepagiqi nuk është vetëm një artist – është “Dashni e vjetër”, një pjesë e shpirtit të Prishtinës që nuk shuhet me kohën. Dhe koncerti i tij, ishte një rikujtim i fuqishëm i asaj dashurie që nuk vjetrohet kurrë, përkundrazi – sa vjen e rritet.