Zbulim në Zvicër: Shkencëtarët zhvillojnë implant që ul sheqerin në gjak pa ilaçe

Zbulim në Zvicër: Shkencëtarët zhvillojnë implant që ul sheqerin në gjak pa ilaçe

Shkencëtarët e Institutit Federal të Teknologjisë në Cyrih (ETH Zürich) kanë zhvilluar një implant elektronik që mund të ulë nivelin e sheqerit në gjak pa përdorimin e ilaçeve, duke hapur mundësi të reja për trajtimin e diabetit të tipit 2, shkruan ETH Zürich, përcjell albinfo.ch.

Sistemi i ri, i zhvilluar nga një ekip shkencëtarësh nën drejtimin e profesorit Martin Fussenegger, përdor një katalizator të veçantë që shndërron glukozën e tepërt në gjak në glukonat, një substancë që më pas eliminohet nga organizmi përmes urinës.

Ndryshe nga trajtimet tradicionale, teknologjia synon të largojë një pjesë të glukozës së tepërt nga qarkullimi i gjakut, duke ndihmuar njëkohësisht në kufizimin e grumbullimit të yndyrës në organizëm.

Implanti funksionon përmes një sistemi elektronik që kontrollohet në mënyrë automatike. Një sensor mat vazhdimisht nivelin e glukozës dhe, nëse ai rritet mbi kufirin e përcaktuar, dërgon sinjal për aktivizimin e pajisjes. Kur niveli i sheqerit kthehet në vlerat e synuara, sistemi çaktivizohet automatikisht.

Studiuesit e kanë testuar teknologjinë në kushte laboratorike, duke përdorur një rezervuar me pesë litra tretësirë që përmbante glukozë, sasi e përafërt me vëllimin e gjakut në trupin e njeriut. Testimet e mëvonshme te minjtë me diabet treguan se pajisja ishte në gjendje të rregullonte nivelin e sheqerit në gjak.

Gjatë periudhës gjashtëjavore të testimit, studiuesit vërejtën gjithashtu ulje të peshës trupore te kafshët, ndërsa implanti u tolerua mirë dhe funksionoi në mënyrë të qëndrueshme.

Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se teknologjia ende nuk është testuar te njerëzit dhe nevojiten kërkime të mëtejshme për të vlerësuar sigurinë dhe efektivitetin e saj në përdorimin klinik.

Rezultatet e studimit janë publikuar në revistën prestigjioze shkencore “Science”, ndërsa ekipi hulumtues synon ta zhvillojë më tej sistemin drejt krijimit të një pajisjeje mjekësore që mund të përdoret në të ardhmen për trajtimin e diabetit./Albinfo.ch

 

The post Zbulim në Zvicër: Shkencëtarët zhvillojnë implant që ul sheqerin në gjak pa ilaçe appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.