Zelensky prezanton planin për fundin e luftës: Do tërheqim trupat

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukraina, së bashku me partnerët e saj amerikanë dhe evropianë, ka hartuar një plan për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
Sipas Zelenskyt, plani përfshin tre elementë kryesorë: një armëpushim, krijimin e një zone të lirë ekonomike dhe tërheqjen e trupave.
“Këto janë ide të përbashkëta nga amerikanët dhe evropianët dhe janë rezultat i diskutimeve të përfunduara mes amerikanëve, nesh dhe rusëve”, tha Zelensky.
Ai bëri të ditur se kishte arritur një marrëveshje me Jared Kushner dhe Steve Witkoff, ndërsa diskutimet janë përmbledhur në pyetjen se cilat janë mundësitë reale për përfundimin e luftës.
Sipas presidentit ukrainas, propozimi amerikan parashikon fillimisht një armëpushim, ndërsa pjesa e dytë lidhet me krijimin e një zone të lirë ekonomike.
Zelensky shpjegoi se një skenar i tillë do të nënkuptonte tërheqjen e trupave ukrainase dhe ruse nga pozicionet e tyre, duke krijuar një lloj zone tampon, e cila do të vendosej nën një formë administrimi nga një palë e tretë.
“Ende nuk është e qartë se cila do të jetë kjo palë e tretë”, tha ai.
Në plan përfshihet gjithashtu roli që do të kenë Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, si dhe angazhimet që Ukraina do të ishte e gatshme të ndërmerrte në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme paqeje.
Zelensky tha se disa prej propozimeve amerikane ende nuk janë bërë publike dhe se Uashingtoni po pret momentin e përshtatshëm për t’i paraqitur ato.
“Ka diçka realiste në të gjithë këtë”, u shpreh presidenti ukrainas, duke lënë të hapur mundësinë që propozimet e diskutuara të shërbejnë si bazë për përfundimin e luftës.
The post Zelensky prezanton planin për fundin e luftës: Do tërheqim trupat appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



