Zjarret në Shqipëri, 30 vatra në 24 orë, ndërhyrje nga ajri në Panahor

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur bilancin e situatës me zjarret në vend gjatë 24 orëve të fundit, ku janë regjistruar 30 vatra zjarri, ndërsa 8 prej tyre vijojnë të jenë aktive.
Për shuarjen e flakëve në zona të ndryshme të territorit janë angazhuar 54 automjete zjarrfikëse dhe 502 forca operacionale. Në mbështetje të tyre janë angazhuar edhe 110 efektivë të Forcave të Armatosura, tre helikopterë dhe avioni zjarrfikës “Air Tractor” i Forcës Ajrore.
Në zonën e Dajtit vijojnë operacionet për shuarjen e zjarrit, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërhyrjet po vijojnë gjithashtu në Priskë dhe Çakallesh, ku situata nuk paraqet rrezik për komunitetin.
Në Riban, Ngraçan dhe Panahor, në bashkinë Mallakastër, forcat operacionale po punojnë për shuarjen e flakëve në terren të vështirë. Edhe në këto zona, sipas autoriteteve, nuk raportohet rrezik për banesat.
Operacioni në Panahor vijon me intensitet, ndërsa për shuarjen e zjarrit është aktivizuar edhe ndërhyrja nga ajri. Fillimisht puna është përqendruar në perimetrin e jashtëm të vatrës, ndërsa aktualisht forcat në terren po punojnë për izolimin e saj dhe parandalimin e përhapjes.
Në operacion janë angazhuar 40 trupa të Forcave të Armatosura, katër mjete zjarrfikëse, 25 efektivë të shërbimit zjarrfikës dhe 30 punonjës të bashkisë. Forcat po veprojnë në koordinim me strukturat e tjera të emergjencave civile.
Autoritetet bëjnë me dije se ndërhyrja do të vijojë deri në neutralizimin e plotë të vatrës.
Ndërkohë, në qarkun e Elbasanit vijon puna për shuarjen e vatrave në Shqiponjë, malin e Dardhës dhe Mjekës. Zjarri në Shqiponjë është vendosur nën kontroll, ndërsa vatra në malin e Dardhës është izoluar.
Në Kostren 2, në bashkinë Berat, vijojnë ndërhyrjet për shuarjen e një vatre zjarri të riaktivizuar, me angazhimin e forcave dhe mjeteve zjarrfikëse.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat e tjera të sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e operacioneve në të gjithë territorin e vendit.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



