Zvicra ndryshon sistemin e dhurimit të organeve: Kush nuk dëshiron, duhet ta deklarojë

Zvicra ndryshon sistemin e dhurimit të organeve: Kush nuk dëshiron, duhet ta deklarojë

Zvicra pritet të ndryshojë nga viti 2027 mënyrën e rregullimit të dhurimit të organeve. Sipas sistemit të ri, personat që nuk dëshirojnë të dhurojnë organet ose indet e tyre pas vdekjes do të duhet ta deklarojnë në mënyrë të qartë kundërshtimin e tyre.

Ndryshimi vjen pas reformës së miratuar nga votuesit zviceranë në vitin 2022. Aktualisht zbatohet sistemi i kundërt: një person konsiderohet dhurues vetëm nëse ka shprehur më parë vullnetin për të dhuruar organet pas vdekjes.

Mbi 2 mijë persona presin për një organ

Mungesa e organeve për transplantim mbetet një problem i madh në Zvicër. Vitin e kaluar, më shumë se 2 mijë persona ishin në pritje të një organi, ndërsa rreth 640 prej tyre arritën të kryenin transplantin.

Autoritetet shpresojnë se sistemi i ri, i shoqëruar me një fushatë të gjerë informimi, do ta bëjë çështjen e dhurimit të organeve më të pranishme në debatin publik.

Claudia Vonlanthen, shefe e mjekësisë intensive në Spitalin Kantonal të Lucernës dhe drejtuese e rrjetit Transalpina për dhurimin e organeve, thotë se qëllimi kryesor duhet të jetë që secili person të marrë një vendim gjatë jetës.

“Secili duhet të vendosë gjatë jetës nëse dëshiron apo jo të dhurojë organet e tij”, është mesazhi që pritet të përcillet përmes fushatës së Zyrës Federale të Shëndetit Publik.

Vendimi i dhuruesit mund t’ua lehtësojë barrën familjarëve

Sipas Vonlanthen, një nga përfitimet më të rëndësishme të diskutimit paraprak për dhurimin e organeve është lehtësimi i barrës emocionale mbi familjarët në momentet më të vështira.

“Të afërmit ndodhen në një gjendje të jashtëzakonshme emocionale kur jeta e një personi është drejt fundit. Nëse në atë moment duhet të përballen edhe me pyetjen për transplantimin e organeve, situata mund të bëhet tepër e rëndë për ta”, shpjegon ajo.

Për këtë arsye, mjekja thekson rëndësinë që dëshira e personit të jetë e njohur, e dokumentuar dhe, nëse është e mundur, të jetë diskutuar më herët edhe me familjen.

Në përvojën e saj, kur dëshirat e pacientit nuk dihen, familjarët e kanë shumë më të vështirë të japin pëlqimin për dhurimin e organeve dhe shpesh priren ta refuzojnë atë.

“Nuk është çështje për negociim”

Vonlanthen thekson se vendimi për dhurimin e organeve mbetet një zgjedhje krejtësisht personale.

Nëse një person vendos të mos dhurojë, ajo thotë se mjekët nuk përpiqen ta bindin për të ndryshuar qëndrim. E njëjta qasje vlen edhe për familjarët që nuk dëshirojnë ose nuk janë në gjendje të marrin një vendim.

“Ne nuk jemi moralizues që gjykojmë nëse dikush po vepron drejt apo gabim”, thekson ajo, duke shtuar se ekzistojnë arsye të ndryshme si për dhurimin, ashtu edhe kundër tij.

Me ndryshimin e sistemit në vitin 2027, autoritetet zvicerane synojnë që më shumë qytetarë të reflektojnë paraprakisht mbi këtë çështje dhe të bëjnë të qartë vullnetin e tyre, në mënyrë që vendimi të mos mbetet në duart e familjarëve në momentin e një humbjeje/albinfo.ch/

The post Zvicra ndryshon sistemin e dhurimit të organeve: Kush nuk dëshiron, duhet ta deklarojë appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.